
Ish-ministri britanik kërkon falje pasi u fotografua duke urinuar në rrugë, ndërkohë që publikohen dokumentet e reja lidhur me miqësinë e tij me Jeffrey Epstein.
Lord Peter Mandelson është përfshirë në një tjetër situatë të sikletshme publike, pasi u fotografua duke urinuar në një mur kopshti në lagjen Notting Hill të Londrës, vetëm pak minuta pasi kishte lënë shtëpinë e ish-kancelarit britanik George Osborne. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, ndërsa ish-politikani 72-vjeçar po priste një automjet Uber, pas dy anulimeve të njëpasnjëshme.
Mandelson kishte mbërritur në rezidencën 10-milionëshe të Osborne rreth orës 20:00, duke mbajtur me vete një shishe vere të shtrenjtë nga një prodhues kilian, ndërsa takimi i tyre përkoi me publikimin e 20 mijë dokumenteve të reja nga pasuria e Jeffrey Epstein. Materialet përfshijnë edhe email-e që tregojnë se Mandelson kishte ruajtur miqësinë me Epstein deri në vitin 2016, tetë vite pasi miliarderi ishte dënuar për shfrytëzim seksual të të miturve.
Pasi doli nga shtëpia, Mandelson u largua pak metra më tej dhe u fotografua duke kryer nevojat personale në një mur që i përket biznesmenit James Reed, i cili është shprehur kritik ndaj politikave të Laburistëve. Reed e cilësoi sjelljen e ish-ministrit si të papërshtatshme dhe të pazakontë për një figurë të lartë publike.
Banorë të zonës kanë reaguar me indinjatë, duke e krahasuar incidentin me problemet që hasin gjatë festimeve të Notting Hill Carnival, ndërsa ekspertët ligjorë thonë se, megjithëse veprimi bie ndesh me ligjin britanik, gjasat për ndjekje penale janë të ulëta, për sa kohë nuk ka alarm publik apo shkelje të tjera shoqëruese.
Skandali vjen në një periudhë të turbullt për Mandelsonin, i cili pas shkarkimit nga posti i Ambasadorit të SHBA në shtator ka ndarë kohën mes një cottage në Wiltshire dhe një rezidence luksoze në Regent’s Park. Marrëdhënia e tij e gjatë me Osborne, e cila ka shkaktuar herë pas here polemika, është rikthyer sërish në vëmendje për shkak të dokumenteve të reja që përfshijnë edhe komunikimet me Epstein.
Në reagimin e tij publik, Mandelson kërkoi ndjesë duke u shprehur se kishte pritur për gjysmë ore në rrugë dhe se situata e detyroi të vepronte kështu, duke shtuar se ndjen turp dhe siklet për incidentin.
