
Ylli i Dawson’s Creek po shitet kujtime të rralla nga rolet e tij të njohura, ndërsa vazhdon betejën me kancerin kolorektal.
Aktori amerikan James Van Der Beek, i bërë i famshëm nga roli i Dawson Leery në serialin legjendar Dawson’s Creek, ka vendosur të heqë dorë nga disa prej sendeve më të rëndësishme të karrierës së tij. Objektet do të dalin në ankand në fillim të dhjetorit, në një event të veçantë ku adhuruesit do të kenë mundësi të blejnë pjesë autentike nga rolet që shënuan epoka në televizion dhe film.
Mes objekteve që pritet të tërheqin më shumë vëmendje është varësja simbolike që personazhi Dawson i dhuroi Joey-t për mbrëmjen e maturës, e cila mund të arrijë deri në 52,800 dollarë. Po ashtu, në ankand do të dalin veshjet e tij nga episodi pilot i Dawson’s Creek dhe sende të tjera origjinale ndër vite.
Nga filmi sportiv Varsity Blues (1999), fansat do të mund të sigurojnë atletet dhe kapelen autentike të ekipit West Canaan Coyotes, të përdorura gjatë xhirimeve të filmit që e konsolidoi Van Der Beek si një nga figurat më të dashura të ekranit amerikan në fund të viteve ’90.
Vendimi për organizimin e ankandit erdhi ndërsa aktori përballet me sfida serioze shëndetësore. Prej vitit 2024, ai po lufton me kancer kolorektal në stadin e tretë, një diagnozë që, sipas tij, e ka shtyrë të rimendojë prioritetet dhe të ndahet me objekte që i ka ruajtur për më shumë se dy dekada. Ai u shpreh se momenti aktual i jetës e ka bërë t’i shohë gjërat më qartë dhe të kuptojë se disa kujtime mund të kenë më shumë vlerë në duart e fansave.
Ankandi do të zgjasë nga 5 deri më 7 dhjetor dhe pritet të tërheqë një numër të madh adhuruesish të Dawson’s Creek dhe projektëve të tjera të aktorit, duke u kthyer në një nga eventet më të komentuara të fundvitit në botën e koleksionistëve.
