
Sipas hetimeve, Bufi dyshohet se i ka kërkuar një qytetari të mos marrë pjesë në votimet e 14 majit 2023, duke përdorur funksionin publik për qëllime politike.
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet ndaj kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi, duke e dërguar çështjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme për veprën penale përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, parashikuar nga neni 328/a/3 i Kodit Penal.
Sipas SPAK, hetimi nisi pas disa kallëzimeve të mbërritura në institucion, ndërsa një prej tyre çoi në publikimin e një audio-përgjimi ku Bufi dëgjohej duke i kërkuar një qytetari, me inicialet G.B., të mos votonte në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Nga verifikimet e kryera rezulton se qytetari ishte përfitues i një programi social të bashkisë dhe se kjo marrëdhënie u përdor si presion administrativ për t’i imponuar atij mos-pjesëmarrjen në votime.
Në njoftimin zyrtar, SPAK thotë se Bufi i ishte drejtuar qytetarit me mesazhe dhe kërkesa të drejtpërdrejta që të rrinte në shtëpi, të mos votonte dhe të mos përfshihej në aktivitet politik gjatë periudhës së fushatës. Prokuroria thekson se këto kërkesa ishin bërë nën kërcënimin e masave administrative dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarit, i cili megjithatë e ka ushtruar të drejtën e tij të votës.
Hetimet treguan gjithashtu se pak ditë para takimit me kryebashkiaken, në banesën e qytetarit kishin shkuar punonjës të IMT së bashkisë, të cilët i kishin kërkuar llogari për punimet e një objekti pa dokumentacion të plotë. SPAK thotë se situata është përdorur si mjet presioni për të ndikuar politikisht mbi G.B.
Pas depozitimit të dosjes në gjykatë, pritet të hidhet shorti për gjyqtarin që do ta shqyrtojë çështjen në fazën paraprake.
Reagimi politik erdhi menjëherë. Gazment Bardhi e cilësoi marrjen të pandehur të Bufit si një lajm të mirë për qytetarët e Roskovecit, ndërsa akuzoi Partinë Socialiste se e ka kthyer qarkun e Fierit në një “bandë elektorale”. Bardhi u shpreh se çështja e Bufit është vetëm një nga shkeljet e shumta që, sipas tij, kanë ndodhur në atë bashki.
Majlinda Bufi është paraqitur dy herë në SPAK për të dhënë deklarimet e saj, ndërsa tashmë përballet me proces të plotë gjyqësor.
