
Hetimet tregojnë se autori e kishte planifikuar sulmin prej kohësh dhe e vrau viktimën në vendin e punës pas një konflikti të pakuptimtë.
Një ngjarje tronditëse ka tronditur Minnesota, ku një 40-vjeçar akuzohet se ka vrarë brutalisht kolegen e tij, vetëm 20 vjeç. Viktima, Amber Czech, punonte në kompaninë Advanced Process Technologies në Cokato, ku u gjet pa jetë në mëngjesin e 11 nëntorit me plagë të rënda në kokë.
Sipas sherifit të qarkut Wright, punonjësit gjetën të renë në vendin e punës me trauma të rënda në kokë, ndërsa ekipi mjekësor konstatoi vdekjen në vendngjarje. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se viktima dhe autori, David Delong, kanë kaluar pranë njëri-tjetrit pa shkëmbim fjalësh, para se ai të kthehej pas disa minutash me një vare në dorë.
Prokurori Brian Lutes deklaron se goditja e parë ka qenë horizontale, ndërsa më pas Delong ka goditur edhe katër herë të tjera me forcë të madhe. Sulmi ka ndodhur jashtë fushës së kamerave, duke e lënë të pamundur regjistrimin e momentit të saktë të vrasjes.
Pas krimit, Delong i ka rrëfyer një kolegu atë që kishte bërë, duke i thënë se e kishte goditur vajzën me varen e tij. Ai është arrestuar pak më vonë dhe sipas dosjes hetimore ka pranuar se e kishte planifikuar vrasjen prej kohësh. Në deklarimet e tij, ai ka thënë se nuk e pëlqente viktimën dhe ishte ndjerë i bezdisur nga një shikim i saj që, sipas prokurorit, kishte ndodhur shumë kohë para ngjarjes.
Amber Czech ka humbur jetën nga goditjet fatale në kokë, ndërsa kompania ku punonte ka pezulluar aktivitetin dhe ka reaguar duke shprehur dhimbjen për tragjedinë. Stafi po mbështetet psikologjikisht nga ekspertë, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Autori pritet të dalë në gjykatë më 24 nëntor. Ai po mbahet me kusht 2 milionë dollarë dhe ende nuk ka deklaruar fajësinë.
