
I plagosur rëndë në atentatin ku u vra Gilmando Dani, 20 plagët e marra e mbajnë ende mes jetës dhe vdekjes.
Gjendja shëndetësore e Muçi Shaljanit, i njohur edhe me mbiemrin Sheqeri, mbetet tejet e rëndë pas atentatit të ndodhur pranë Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani. Shaljani ka marrë plot 20 plumba në trup, ndërsa dy prej tyre i ka ende të ngulitur në kokë, në zona që mjekët nuk arrijnë t’i ndërhyjnë pa rrezikuar jetën e tij.
Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar se pavarësisht përpjekjeve mjekësore, gjendja e Shaljanit vazhdon të jetë kritike. Sipas burimeve spitalore, heqja e plumbave nga koka konsiderohet aktualisht e pamundur për shkak të rrezikut të lartë të komplikacioneve fatale.
Shaljani u plagos gjatë sulmit të armatosur në zonën e Rinasit, ku persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj automjetit të blinduar ku ndodhej ai së bashku me Gilmando Danin. Dani humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Shaljani u transportua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë.
Hetimet për atentatin vijojnë, ndërsa autoritetet po kontrollojnë të gjitha pistat e mundshme të motivit dhe autorëve të sulmit.
