
Administrata franceze e burgjeve promovon siguri dhe qetësi, ndërsa të burgosurit flasin për izolim ekstrem dhe kushte dehumanizuese.
Prania e miratorëve, korridoret e gjata me ngjyra të zbehta dhe rojet e maskuara të kujtojnë menjëherë se jemi në një nga burgjet më të sigurisë së lartë në Francë, Vendin le Vieil, pranë Lensit. Që prej muajit qershor, aty janë transferuar rreth 100 të dënuar që konsiderohen ndër kriminelët më të rrezikshëm të vendit, shumica e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Për këtë arsye institucioni është pagëzuar tashmë me emrin burgu i narcos.
Këta të burgosur mbahen në qeli të veçanta, krejt të izoluara, me kontakt minimal me botën e jashtme. Ankesat e tyre janë të shumta: mungesa e takimeve, kohë e kufizuar në ajrim, kontrolle të shpeshta dhe ndjesia se po trajtohen si pjesë e një eksperimenti. Disa prej tyre shprehen se ndihen si hamsterë, si cobayë të një sistemi që po teston modelet e reja të sigurisë.
Nga ana tjetër administrata penitenciare e përshkruan situatën ndryshe. Sipas drejtuesve të institucionit raportet me të burgosurit janë të qeta, pa incidente serioze dhe me nivelin më të lartë të sigurisë në vend. Burgjet e këtij lloji, thonë ata, janë krijuar pikërisht për të frenuar komunikimin e grupeve kriminale me rrjetet e tyre në territoret franceze dhe jashtë vendit.
Vizita e fundit parlamentare e deputetit Ugo Bernalicis dhe përfaqësuesve të mediave zbuloi një realitet të ftohtë, klinik dhe të mbikontrolluar, ku çdo hap i të burgosurve monitorohet. Qelitë moderne dhe teknologjia e avancuar e sigurisë japin përshtypjen e një institucioni të dizajnuar për izolim total, më shumë sesa për rehabilitim.
Pavarësisht kritikave, qeveria franceze e sheh këtë model burgjesh si zgjidhje kyçe për luftën kundër krimit të organizuar. Por për të burgosurit që po e përjetojnë këtë regjim të ri, jeta në Vendin le Vieil është një provë e përditshme izolimi, që shumë prej tyre e përshkruajnë si çnjerëzore.
