
Muzikanti 59-vjeçar, mik fëmijërie i Jimmy Kimmel, ndërroi jetë nga komplikacione të rënda shëndetësore të dokumentuara në certifikatën e vdekjes.
Shkaku i vdekjes së Cleto Escobedo III, drejtuesit të bandës së Jimmy Kimmel Live dhe një nga miqtë më të afërt të Jimmy Kimmel, është bërë publik. Dokumentet zyrtare tregojnë se muzikanti ka humbur jetën si pasojë e cardiogenic shock, ndërsa një sërë komplikacionesh të tjera shëndetësore kanë kontribuar në gjendjen e tij, përfshirë cirrozën alkoolike të mëlçisë, infeksione të rënda dhe sëmundje kronike të organeve të brendshme.
Escobedo, i cili u nda nga jeta më 11 nëntor në moshën 59-vjeçare, ishte pjesë e pandashme e Jimmy Kimmel Live që nga fillimi i programit në vitin 2003. Për Jimmy Kimmel, humbja e tij ishte thellësisht personale, duke e përshkruar atë si mikun e tij që nga mosha 9-vjeçare dhe një njeri që i kishte shoqëruar çdo hap të jetës dhe karrierës së tij.
Në njoftimin e tij publik, Kimmel e cilësoi Escobedo një mik, baba dhe muzikant të jashtëzakonshëm, duke shtuar se ekipi i tij është i shkatërruar nga lajmi. Ai hapi emisionin e 11 nëntorit mes lotësh, duke e quajtur atë monologun më të vështirë që ka bërë ndonjëherë. Programi u anulua për dy ditët pasuese në shenjë zie, ndërsa për një natë në vend të Escobedo-s performoi i ati, Cleto Escobedo Sr.
Para se t’i bashkohej show-t, Escobedo kishte pasur një karrierë të pasur në muzikë, duke luajtur me grupe dhe artistë të njohur si Earth, Wind & Fire dhe Paula Abdul, ndërkohë që konsiderohej një talent i lindur. Ai e kishte ndjekur traditën muzikore të të atit, i cili braktisi jetën në turne për t’u kujdesur për të birin.
Vdekja e tij ka shkaktuar reagime të shumta në botën e argëtimit, ku Escobedo njihej si një prej figurave më të dashura të muzikës televizive amerikane. Për shumëkënd, ai ishte jo vetëm zëri i Jimmy Kimmel Live, por edhe zemra e tij muzikore.
