
Oferta private e Kim për të blerë Biblën që babai i saj i kishte dhuruar OJ Simpson është kthyer në debat publik, pas kritikave të ekzekutorit të pasurisë së ish-sportistit.
Kim Kardashian është përfshirë në një përplasje të re publike pas tentativës së saj për të blerë një Bibël që i ati, Robert Kardashian Sr, dikur i kishte dhuruar OJ Simpson. Në episodin e fundit të serialit të saj, Kim tregoi se kishte bërë një ofertë prej 15 mijë dollarësh, duke thënë se objekti kishte vlerë të madhe emocionale për të. Letra e saj u rrjedh më pas online, ndërsa oferta u refuzua, gjë që e ka irrituar atë, pasi theksoi se kishte qenë e gatshme të ofronte deri në 30 mijë dollarë.
Situata u tensionua më tej kur Malcolm LaVergne, ekzekutori i pasurisë së Simpson, reagoi ashpër. Ai deklaroi se Kim po e shtrembëronte historinë dhe, në mënyrë ironike, vuri në dukje se ajo ende nuk e ka kaluar provimin e avokatisë, duke u mburrur se vetë ai i kishte kaluar tre të tilla që në përpjekjen e parë. Me një ton sarkastik, ai shtoi se Kardashian të paktën ishte më e pasur se ai.
Biblën në fjalë e bleu më pas një blerës anonim për 80 mijë dollarë në ankand, gjë që sipas LaVergne ishte e pashmangshme pasi objekti ishte kontraktuar tashmë për shitje me qëllim mbulimin e shpenzimeve të pasurisë së Simpson. Ai shtoi se kontakti nga ekipi i Kim kishte ardhur vetëm pasi procesi ishte mbyllur.
Për Kim Kardashian, Bibla kishte vlerë të veçantë për shkak të një dedikimi të gjatë që i ati i kishte shkruar Simpson në vitet ’90. Ky episod vjen menjëherë pasi Kim ka mësuar se ka dështuar sërish në provimin e avokatisë në Kaliforni, por ajo i ka siguruar ndjekësit se nuk do të heqë dorë dhe do të vijojë përgatitjet deri sa të kalojë provimin.
