
Operacioni “Borders 4” çon në pranga një të dënuar të mëparshëm, teksa u kap duke lëvizur 6 shtetas të huaj kundrejt pagesës.
Në Shkodër është ndaluar një 43-vjeçar i dyshuar për trafikim të emigrantëve nga vende të treta. Arrestimi u bë pas një operacioni të Policisë Kufitare në fshatin Vukpalaj, ku ai u kap duke transportuar me automjet gjashtë shtetas të huaj; tre sirianë dhe tre egjiptianë, të cilët synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Malit të Zi.
Sipas të dhënave hetimore, Klajdi Llozhi, banues në Mamurras, dyshohet se i ndihmonte emigrantët të lëviznin ilegalisht kundrejt pagesës 400 deri në 500 euro për person. Policia njofton se ai është i dënuar më herët për të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjatë ndërhyrjes u sekuestruan automjeti që shërbente për transportin e emigrantëve dhe telefoni i tij celular, që dyshohet të jetë përdorur për koordinimin e kalimeve.
Sipas Policisë Kufitare, emigrantët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri nga Qafë Bota dhe po përgatiteshin të kalonin kufirin verior në drejtim të Malit të Zi. Hetimet po vijojnë për të identifikuar bashkëpunëtorë të mundshëm dhe për të dokumentuar të gjithë zinxhirin e trafikimit.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
