
Presidenti amerikan akuzon rrjetin britanik për manipulim të fjalimit të tij të 6 janarit, ndërsa BBC pranon gabimin, por mohon çdo bazë ligjore për kompensim.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, njoftoi se javën e ardhshme do të nisë një padi kundër BBC, duke kërkuar nga 1 deri në 5 miliardë dollarë dëmshpërblim, pasi rrjeti publik britanik pranoi se kishte montuar gabimisht një pjesë të fjalimit të tij të 6 janarit 2021. Sipas Tramp, montazhi krijoi përshtypjen e rreme se ai kishte nxitur sulmin ndaj Kapitolit.
BBC kërkoi ndjesë publike duke e quajtur rastin një gabim në gjykim, por theksoi se nuk ka asnjë bazë ligjore për pretendimet e Tramp. Për çështjen në fjalë, dy drejtues të lartë të rrjetit kanë dhënë dorëheqjen, përfshirë drejtorin e përgjithshëm Tim Davie dhe shefen e lajmeve Deborah Turness, duke e zhytur korporatën në krizën më të rëndë të dekadave të fundit.
Tramp deklaroi se do të diskutojë personalisht këtë çështje me kryeministrin britanik Keir Starmer, duke e cilësuar videon e montuar si akt që cenon integritetin mediatik. Ai pretendoi se BBC ka vepruar qëllimisht për ta paraqitur si nxitës të dhunës, ndërsa në një intervistë për GB News e quajti incidentin skandal të qëllimshëm që barazohet me ndërhyrje në zgjedhje.
Sipas avokatëve të tij, dokumentari i BBC në emisionin Panorama kishte bashkuar tri pjesë të ndara të fjalimit, të regjistruara me gati një orë distancë, duke ndryshuar krejtësisht kuptimin e deklaratave. BBC ka përsëritur se ndonëse montazhi ishte i gabuar, nuk ka pasur qëllim manipulues.
Ndërkohë, qeveria britanike ka kërkuar transparencë të plotë nga BBC, por ka mbrojtur pavarësinë e saj editoriale. Përballë akuzave të reja dhe polemikave politike, rrjeti publik pritet të përballet me një hetim të brendshëm dhe presion të shtuar publik.
