
Rrethana të paqarta dhe dëshmi tronditëse rihapin skandalin e humbjes së jetës së Daorsa Spahijës
Vdekja e Daorsa Spahijës, studentes 24-vjeçare nga Gjakova, e cila humbi jetën pasi u rrëzua nga një ndërtesë në Tetovë më 5 nëntor, po ngre gjithnjë e më shumë pikëpyetje. Fillimisht ngjarja u raportua si vetëhedhje, por dyshime të forta po dalin në dritë nga personat e afërt me të ndjerën.
Miku i saj, Arbër Zhubi, ka deklaruar se beson se Daorsa nuk ka rënë vetë, por është shtyrë nga partneri i saj 31-vjeçar, Hevzi Sejdiu. Ai thotë se Sejdiu ishte personi i vetëm që ndodhej me të në momentet e fundit dhe se pas ngjarjes ka qenë ai që ka zbritur i pari për të konfirmuar vdekjen.
Sipas Zhubit, zona ku ndodhi tragjedia është e mbuluar nga disa kamera sigurie që mund të ndihmojnë zbardhjen e episodit. Ai pretendon se partneri i Daorsës ka tentuar ta paraqesë ngjarjen si vetëvrasje, ndërsa shton se 24-vjeçarja nuk ishte në dijeni se ai ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
Po ashtu, sipas dëshmisë së tij, Sejdiu ka pasur probleme të mëparshme me ligjin, përfshirë çështje të lidhura me trafikun e armëve, dhe ishte liruar nga burgu pak muaj para ngjarjes.
Zhubi tregon se Daorsa po përballej me një trysni të rëndë emocionale, por nuk kishte gjetur forcën të kërkonte ndihmë. Familja e vajzës, e cila ishte bija e ish-ushtarit të UÇK-së Arbër Spahija, e përcolli për në banesën e fundit më 7 nëntor në Gjakovë.
Në pritje të hetimeve zyrtare, rasti mbetet i hapur dhe shoqëria kërkon sqarim të plotë për rrethanat që i morën jetën 24-vjeçares.
