
Paga minimale 500 euro, rritje për mësuesit e mjekët dhe pesëfishim pensioni deri në 2030. Premtime të mëdha, por me kosto të paqarta për ekonominë
Kryeministri Edi Rama prezantoi në Njësinë nr. 3 linjat e projekt-buxhetit për vitin 2026, ku prioritetin kryesor e cilësoi rritjen e pensioneve dhe shtimin e pagave. Por ndërsa premtimet tingëllojnë ambicioze, mungon shpjegimi se si do të financohen në një ekonomi që ende vuan nga borxhi i lartë, informaliteti dhe presionet mbi bizneset.
Rama deklaroi se qeveria ka parashikuar 1.7 miliardë euro për pensionistët në mandatin e katërt, duke premtuar rritje të përvitshme deri në pesëfishim në vitin 2030. Sipas tij, kjo bëhet e mundur falë rritjes ekonomike dhe reformave të ndërmarra.
Por ekspertët e financave argumentojnë se rritja e pensioneve me ritëm agresiv nuk mbështetet në të ardhura të qëndrueshme dhe mund të vërë në rrezik skemën e sigurimeve shoqërore, e cila prej vitesh funksionon me deficit të lartë. Sipas tyre, premtimet e ngarkuara financiarisht mund të jenë të orientuara më shumë drejt klimës politike sesa realitetit ekonomik.
Një tjetër element i diskutueshëm është rritja e pagës minimale nga 400 në 500 euro që nga janari 2026. Sipas Ramës, kjo rritje do të përkthehet edhe në paga më të larta për mësues, mjekë, infermierë, policë dhe kategori të tjera të administratës publike. Ai shtoi se objektivi final është paga minimale 700 euro deri në fund të mandatit.
Ndërkohë, bizneset paralajmërojnë se rritja e pagës minimale pa politika lehtësuese mund të shkaktojë falimentime dhe rritje të papunësisë, sidomos në sektorin privat të vogël dhe të mesëm. Ekonomistët ngrenë shqetësimin se paga minimale nuk mund të synohet si instrument elektoral, por si politikë afatgjatë e harmonizuar me produktivitetin dhe investimet.
Rama u ndal edhe te projektet sociale, kopshtet, çerdhet dhe shërbimet shëndetësore, duke premtuar se rritjet e pritshme të pagave dhe pensioneve nuk do të dëmtojnë investimet publike. Por analistët ngrejnë pikëpyetje thelbësore: si do të përballojë buxheti rritjen e menjëhershme të shpenzimeve, kur vetë qeveria pranon se të ardhurat kanë kufizime dhe inflacioni vijon të prekë familjet dhe bizneset?
Projekt-buxheti i vitit 2026 vjen i ngarkuar me premtime të mëdha, por me shumë përgjigje të munguara mbi burimet reale të financimit dhe rrezikun e rritjes së borxhit publik.
Në një klimë politike të ndezur, vëmendja ndaj premtimeve duhet të shoqërohet me analiza të kujdesshme dhe transparencë fiskale, në mënyrë që faturën përfundimtare të mos e paguajnë qytetarët.
