
PD hedh dyshime për burimin e qindra mijëra eurove të shlyera brenda pak muajsh
Deklarata më e fundit e zëdhënëses së Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka rikthyer në qendër të debatit publik pasurinë e deklaruar nga Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij. Sipas Vangjelit, të dhënat financiare të çiftit nuk përputhen me realitetin ekonomik të mijëra familjeve shqiptare, të cilat ndeshen çdo ditë me papunësi, paga minimale dhe mungesë perspektive.
Sipas dokumenteve zyrtare të deklarimit të pasurisë për vitin 2024, kryeministri ka raportuar rreth 108 mijë euro të ardhura, prej të cilave 36.7 mijë euro janë paga nga detyra dhe pjesa tjetër të ardhura suplementare. Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka deklaruar 90 mijë euro të ardhura, duke shfaqur sërish aktivitet të lartë financiar në tregun e pasurive të paluajtshme.
Pikëpyetjet kryesore nisin nga vitit 2023, kur bashkëshortja e Ramës bleu një pronë prej 429 mijë euro, duke paguar fillimisht 200 mijë euro dhe duke premtuar shlyerjen e 229 mijë eurove të mbetura brenda vitit 2024. Në deklarimin e radhës, Vangjeli thotë se diferenca është shlyer tërësisht, pjesërisht falë një kredie prej 200 mijë euro, marrë në qershor të vitit 2024.
Por pavarësisht kreditimit, bilanci i vitit vazhdon të ngrejë dyshime: gjatë të njëjtit vit, bashkëshortja e kryeministrit ka blerë edhe një tjetër pronë me sipërfaqe 118 m², për të cilën janë paguar 107 mijë euro (rreth 910 euro/m²). Vetëm për vitin 2024, shpenzimet e saj për pasuri të paluajtshme arrijnë në 336 mijë euro.
PD ngre pyetjen thelbësore:
Si u shlyen me kaq shpejt qindra mijëra euro, kur të ardhurat vjetore të familjes janë shumë më të ulëta se totali i investimeve dhe shpenzimeve?
Vangjeli e cilëson këtë situatë një pabarazi të pastër morale dhe ligjore, duke theksuar se ndërsa shumica e qytetarëve luftojnë për të paguar qiranë apo faturat, familja qeverisëse shfaq pasuri në rritje të vazhdueshme.
