
Presidenti i FSHF flet për emocionet, objektivat dhe shanset e Shqipërisë për Botërorin 2026
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar arritjen historike të Kombëtares kuqezi, e cila për herë të parë siguron pjesëmarrjen në fazën play-off të Botërorit. Fitorja e ngushtë 0-1 në Andorra zyrtarizoi praninë e Shqipërisë në raundin vendimtar, një sukses që Duka e konsideron “emocion të paharrueshëm për çdo shqiptar”.
Sipas Dukës, grupi kuqezinjve u përball me kundërshtarë të fortë si Anglia, Serbia, Letonia dhe Andorra, por ekipi arriti të përmbushte objektivin e vendosur që në fillim të fushatës: vendi i dytë dhe hyrja në play-off.
Duka rrëfeu se atmosfera në Andorra ishte e tensionuar deri në golin e Asllanit, i cili shkëputi presionin dhe solli lehtësim për të gjithë; futbollistë, staf, drejtues dhe tifozë.
“Është një epokë e artë për futbollin tonë. Kualifikimi në play-off të Kupës së Botës është faqja më e re historike,” – u shpreh ai.
Kombëtarja luan nesër në “Air Albania” kundër Anglisë, ekipi që nuk ka humbje dhe as gol të pësuar në këto kualifikuese. Megjithatë, Duka nuk e sheh sfidën si të mbyllur:
“Futbolli është i paparashikueshëm. Edhe ndaj Anglisë mund të ndodhë gjithçka. Ata janë finalistë të Europianit dhe mes skuadrave më të forta të botës, por kjo Shqipëri ka treguar se nuk trembet.”
Me një fitore, Shqipëria do të ngjitej në vazon e dytë të play-off-it, duke shmangur disa nga kundërshtarët më të vështirë.
Duka veçoi dy takimet kundër Serbisë si paraqitjet më të mira të Shqipërisë në këtë cikël, duke i cilësuar si ndeshje me grintë, karakter dhe dëshirë të jashtëzakonshme për fitore.
Presidenti i FSHF tha se çdo kundërshtar është i fortë në këtë fazë, por nuk përjashtoi as skenarin e një finaleje play-off me Italinë.
“E kemi përballur edhe më parë Italinë, madje kemi shënuar golin më të shpejtë në historinë e Europianit me Bajramin. Në play-off të gjithë janë të vështirë, por ne i shohim shanset tona kudo.”
Duka mbetet optimist:
“Kjo skuadër është në gjendje të shkojë deri në fund. Por tani duhet t’i gëzohemi këtij suksesi dhe të përgatitemi me qetësi për hapin final.”
