
Gazetari thotë se zona mbeti pa kontrolle për shkak të një mbledhjeje urgjente, duke lënë hapësirë perfekte për atentatin
Gazetari Elton Qyno ka shpjeguar arsyen kryesore pse në momentin e atentatit në Rinas nuk ndodhej asnjë efektiv policie në zonë, pavarësisht se bëhej fjalë për një aks të rëndësishëm dhe të frekuentuar.
Sipas tij, policët e Policisë Rrugore që patrullojnë segmentin e Rinasit ishin thirrur në Tiranë për një mbledhje të brendshme, duke lënë bosh një nga pikat më të ekspozuara të qarkullimit.
“Ditën kur ndodhi atentati, efektivët e Rrugores ishin mbledhur në Tiranë. Për këtë arsye nuk kishte asnjë prezencë policie në zonë,” – tha Qyno.
Ai shtoi se kjo mungesë e papritur e kontrollit krijoi kushtet ideale për autorët, të cilët mbërritën të organizuar me armë automatike dhe kryen ekzekutimin brenda pak sekondave.
Megjithatë, Qyno theksoi se edhe sikur të kishte polici, situata nuk do të kishte ndryshuar shumë, pasi atentatorët ishin katër persona të armatosur me kallashnikovë, duke goditur me mbi 80 plumba në një kohë rekord. Sipas tij, një patrullë e vetme nuk do të kishte as mundësi dhe as kohë për të reaguar.
Deklarata e tij ngre pikëpyetje serioze mbi koordinimin e strukturave, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe faktin se një mbledhje rutinë e la pa mbrojtje një nga pikat më të rrezikuara të qarkullimit.
