
Bashkia paralajmëron qytetarët për rrezik përmbytjesh dhe kërkon shmangien e parkimit në zonat problematike
Bashkia e Vlorës ka lëshuar një njoftim zyrtar për qytetarët, duke paralajmëruar se datat 17 dhe 18 nëntor do të shoqërohen me reshje shiu nga mesatare në intensitet të lartë. Sipas Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, rritja e prurjeve dhe reshjet e dendura mund të sjellin situata problematike në disa zona të qytetit.
Autoritetet u kërkojnë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në oraret me mot të rënduar.
Një thirrje e veçantë i është drejtuar drejtuesve të automjeteve:
mos parkoni në zonat me rrezik të lartë për përmbytje, pasi reshjet e ditëve në vijim mund të shkaktojnë akumulime të menjëhershme uji.
Bashkia njofton se të gjitha strukturat e emergjencave dhe ekipet në terren do të jenë në gatishmëri për monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen e menjëhershme kur të jetë e nevojshme.
