
Çdo vit, qindra të rinj nga Kukësi i drejtohen Britanisë së Madhe në kërkim të një jete më të mirë, mes të shpresuarve, të zhgënjyerve dhe një komuniteti që po përpiqet t’i mbajë të rinjtë në vend.
Në Kukës, një nga qytetet më të varfra të Shqipërisë, largimet e të rinjve drejt Mbretërisë së Bashkuar janë kthyer në një fenomen të vazhdueshëm. Aty ku paga mesatare nuk i kalon 700 eurot në muaj, mijëra banorë kanë zgjedhur ta kërkojnë të ardhmen e tyre jashtë, duke nisur udhëtime të gjata e të rrezikshme drejt Anglisë, shpesh në mënyrë të paligjshme. Vetëm në vitin 2022, rreth 12 mijë shqiptarë nisën rrugën e më shumë se 2 mijë kilometrave, kryesisht përmes Francës, për të provuar kalimin drejt Kanalit të La Manshit.
Në rrugët e qytetit, makina me timon në të djathtë dhe targa britanike janë një pamje e zakonshme. Ato përzihen me ndërtesat e vjetra të periudhës komuniste dhe me peizazhin e liqenit dhe maleve përreth, duke krijuar kontrastin mes varfërisë lokale dhe ëndrrës së një përvoje europiane përtej detit.
Një pjesë e të rinjve që arrijnë në Britani përballen me kushte të vështira jetese. Shumica punojnë në mënyrë të padeklaruar, shpesh në sektorë të lodhshëm dhe të rrezikshëm. Ka raste ku të rinjtë shfrytëzohen në plantacione kanabisi të kontrolluara nga grupe kriminale nga Shqipëria. Ndërsa disa kthehen në vend me vetura të shtrenjta, si simbol i pretenduar i suksesit, të tjerë kthehen të zhgënjyer nga realiteti që gjejnë atje.
Rasti i Elvant Gashit ilustron këtë kontrast. Ai jetoi tetë vite në Londër dhe punoi pranë xhaxhait të tij për të mësuar zanatin e berberit. I lodhur nga jeta e vështirë dhe larg familjes, vendosi të kthehet në Kukës ku hapi sallonin e tij të berberit në qershor. Për të, rikthimi ishte një mundësi për t’u riintegruar dhe për të ndërtuar diçka në qytetin e tij të lindjes.
Përballë largimeve masive, bashkia e Kukësit po përpiqet të frenojë fenomenin përmes programeve të trajnimit profesional, aktiviteteve kulturore dhe mbështetjes për bizneset e reja. Edhe pse disa të rinj vazhdojnë të besojnë te ëndrra britanike, realiteti i vështirë i emigracionit po e bën gjithnjë e më të dukshme nevojën për mundësi brenda vendit.
Në Kukës, shpresa dhe zhgënjimi ecin paralelisht: disa largohen, disa kthehen, e disa të tjerë kërkojnë ende një arsye për të qëndruar./Përshtatur nga Le Monde
