
Për shkak të ndeshjes vendimtare të orës 18:00 në Air Albania, policia ka ngritur një plan të posaçëm masash dhe ka paralajmëruar bllokime rrugësh, kontrolle të imtësishme dhe rregulla strikte për tifozët.
Tirana do të jetë sot nën masa të rrepta sigurie, për shkak të ndeshjes Shqipëri–Angli që luhet në orën 18:00 në stadiumin Air Albania. Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar për garantimin e rendit para, gjatë dhe pas takimit, ndërsa një sërë rrugësh përreth stadiumit do të jenë të bllokuara nga ora 14:00 deri në përfundim të aktivitetit.
Segmentet që do të jenë të pakalueshme janë Papa Gjon Pali II, Dervish Hima, Asim Zeneli, Themistokli Gërmenji, Ismail Qemali, Mustafa Matohiti, Jul Variboba, Lekë Dukagjini, Avdyl Frashëri, Skerdilajd Llagami dhe Faik Konica. Policia njofton se kufizimet bëhen për të siguruar lëvizjen e ekipeve, tifozëve dhe shërbimeve të emergjencës.
Forcat e rendit do të ushtrojnë kontrolle të detajuara në hyrjet e stadiumit. Tifozëve u ndalohet mbajtja e fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, objekteve të forta, çakmakëve, monedhave metalike, çadrave, karikuesve dhe çdo sendi që mund të paraqesë rrezik. Gjithashtu nuk do të lejohen banderola me përmbajtje fyese apo diskriminuese.
Policia konfirmon se kanë marrë masa të veçanta për shoqërimin e skuadrës angleze nga aeroporti në hotel, lëvizjet drejt stadiumit dhe rikthimin në Rinas. Në terren janë angazhuar qindra efektivë të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë Bashkiake dhe personelit privat të sigurisë, në bashkëpunim me UEFA dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit, tifozëve u kërkohet të paraqiten herët në hyrjet e stadiumit, pasi fluksi i fundit mund të sjellë vonesa dhe mundësi humbjeje të ndeshjes për ata që mbërrijnë pak minuta para fillimit. Hyrja për sportdashësit me bileta hapet në orën 15:00.
Policia rikujton se veprimet e dhunshme në ambientet sportive përbëjnë kundërvajtje dhe vepra penale të parashikuara në Kodin Penal, që variojnë nga gjoba deri te dënimet me burgim për raste të rënda si hedhja e sendeve, përdorimi i piroteknikës apo dhuna ndaj sportistëve dhe arbitrave.
Qëllimi i strukturave të rendit është që ndeshja të zhvillohet pa incidente, duke ruajtur imazhin e qytetit dhe të vendit në një aktivitet me interes të madh ndërkombëtar.
