
Qeveria britanike prezanton paketën më të ashpër të reformave që prej Luftës së Dytë Botërore, me synimin për të ulur numrin e azilkërkuesve, përshpejtuar deportimet dhe kufizuar përfitimet sociale.
Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar një reformë të thellë të politikës së azilit, të cilën autoritetet e përshkruajnë si historike. Ministrja e Brendshme Shabana Mahmood pritet të prezantojë zyrtarisht masat e reja, që synojnë rritjen e dëbimeve dhe frenimin e hyrjeve të paligjshme, ndërkohë që sistemi i mbrojtjes për refugjatët bëhet më i kufizuar dhe më pak afatgjatë.
Sipas The Telegraph, qeveria synon ta ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si trajtohen azilkërkuesit. Aktualisht, personat që fitojnë statusin e refugjatit marrin automatikisht të drejtën për të qëndruar përgjithmonë në vend pas pesë vitesh. Por me rregullat e reja, refugjatëve do t’u jepet vetëm një qëndrim i përkohshëm prej 30 muajsh, i cili do të rishikohet rregullisht. Nëse vendi i origjinës konsiderohet i sigurt, ata do të deportohen.
BBC raporton se cilido që përfiton azil do të duhet të presë deri në 20 vjet për të kërkuar leje qëndrimi të përhershme, një ndryshim drastik nga sistemi aktual.
Një tjetër reformë prek mbështetjen sociale për refugjatët. Sipas The Guardian, qeveria synon ta bëjë ndihmën ekonomike dhe strehimin jo automatike, por diskrecionale. Kjo nënkupton se ndihma mund t’u mohohet atyre që konsiderohen të aftë për punë ose që deklarojnë pasuri. Megjithatë, shumica e azilkërkuesve aktualë nuk pritet të preken, pasi rregullat që ndalojnë pjesën më të madhe të tyre të punojnë do të mbeten në fuqi.
Financial Times vlerëson se qeveria po përpiqet të zbusë kritikat se nuk po arrin të frenojë emigracionin ilegal, veçanërisht kalimet përmes Kanalit të La Manshit me gomone. Që prej 1 janarit, mbi 39 mijë persona kanë arritur ilegalisht në brigjet britanike, më shumë se gjatë gjithë vitit 2024.
Sipas të dhënave zyrtare, kërkesat për azil në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 18 për qind vitin e kaluar, ndërsa në Bashkimin Europian ranë me 13 për qind. Kjo ka shtuar presionin ndaj qeverisë për të ndërhyrë me masa të forta.
The Times raporton se reforma synon të ndryshojë mentalitetin e atyre që rrezikojnë jetën në udhëtime të rrezikshme drejt Anglisë, duke hequr faktorët tërheqës që i shtyjnë të largohen nga vendet e tyre. Ministrja Mahmood ka deklaruar se qëllimi është dërgimi i një mesazhi të qartë: udhëtimi drejt Britanisë së Madhe nuk ia vlen dhe nuk do të shpërblehet me mbrojtje të përhershme.
Në fokusin e qeverisë mbeten masat parandaluese dhe ulja e numrit të atyre që hyjnë ilegalisht, ndërsa mbështetja afatgjatë për refugjatët kufizohet në mënyrë drastike.
