
Aleanca Atlantike po përpiqet të rindërtojë kapacitetet logjistike të Europës, me synimin që ushtritë e kontinentit të lëvizin drejt krahut lindor brenda pak ditësh, në rast të një kërcënimi rus.
Ndërsa tensionet me Rusinë mbeten të larta dhe frika për një përshkallëzim përtej Ukrainës nuk është shuar, NATO po zhvendos fokusin te ajo që deri dje konsiderohej rutinë: logjistika. Vendet europiane po nisin të kuptojnë se, pa një mekanizëm të shpejtë transporti dhe furnizimi, as forcat më të trajnuara nuk mund të arrijnë në kohë atje ku kërkohet mbrojtja.
Në Francë, një shembull konkret është njësia logjistike e 6-të, e vendosur në Gresswiller, e cila ka një avantazh të rrallë: lidhjen direkte me hekurudhën civile. Në këtë bazë, ngjashëm me një qendër gjigante dërgesash, ushtarakët kontrollojnë, riparojnë dhe përgatisin automjete e pajisje që mund të nisen menjëherë drejt frontit nëse Aleanca urdhëron mobilizim të përshpejtuar.
Pas vitit 2022, NATO ka studiuar me kujdes gabimet e ushtrisë ruse gjatë ditëve të para të luftës në Ukrainë, ku furnizimi me karburant dhe mbështetja logjistike çuan në dështimin e ofensivës së shpejtë ndaj Kievit. Duke marrë këtë shembull, shtetet anëtare kanë kuptuar se asnjë mbrojtje nuk funksionon pa rrugë, ura, hekurudha dhe magazina të gatshme të marrin ngarkesën e luftës moderne.
Qëllimi është i qartë: nëse një vend i NATO-s në krahun lindor sulmohet, trupat europiane duhet të zhvendosen brenda ditësh, jo javësh. Por sfida mbetet e madhe. Vende të ndryshme kanë struktura të fragmentuara, procedura të ngadalta dhe varësi të theksuar nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për transportin strategjik dhe pajisjet e rënda.
Megjithatë, investimet kanë nisur. Disa shtete po modernizojnë hekurudhat ushtarake, po hapin korridore të reja logjistike dhe po thjeshtojnë procedurat që lejojnë lëvizjen e armëve përtej kufijve brenda Europës. Infrastruktura si ajo në Gresswiller konsiderohet model i asaj që NATO kërkon të ndërtojë në të gjithë kontinentin.
Përballë ambicies së Rusisë dhe ndryshimeve të shpejta gjeopolitike, Aleanca e sheh logjistikën si një armë strategjike po aq të rëndësishme sa tanket dhe avionët. Lufta në Ukrainë ka treguar se betejat moderne nuk fitohen vetëm në front, por edhe në pasolinë, të varura nga zinxhirë furnizimi që duhet të funksionojnë në çdo sekondë.
