
Një debat për parakalimin mes dy mjeteve agravoi në ndjekje, të shtëna me armë dhe dhunë fizike ndaj një 42-vjeçari nga Tirana; tre persona janë shpallur përgjegjës, dy të arrestuar dhe një në kërkim.
Një konflikt i nisur pas një parakalimi pranë doganës së Hanit të Hotit përfundoi në plagosjen e rëndë të një drejtuesi automjeti mbrëmjen e kaluar në Shkodër. Viktima, 42-vjeçari Edison Tirana, u qëllua me armë zjarri dhe u dhunua fizikisht nga tre persona, sipas burimeve zyrtare.
Ngjarja ka nisur nga një debat mes automjeteve teksa kalonin kufirin, i cili më pas u përshkallëzua gjatë lëvizjes në drejtim të Koplikut. Në afërsi të rrethrrotullimit, automjeti i Tiranës, një Mercedes Benz, u qëllua në pjesën e pasme nga dy vëllezër nga fshati Pjetroshan i Malësisë së Madhe. Si pasojë e goditjes, mjeti humbi kontrollin dhe u përplas me bordurën e një karburanti.
Pas aksidentit, 42-vjeçari tentoi të largohej për t’u fshehur në një zonë me tokë bujqësore aty pranë, por u gjet nga agresorët, të cilët e sulmuan me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Edison Tirana mbërriti në spital rreth orës 19:30 dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ka arrestuar dy autorët kryesorë, Gjovalin dhe Pëllumb Gjekaj, ndërsa nipi i tyre, i dyshuar si i përfshirë në dhunë, është shpallur në kërkim.
Hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes vazhdojnë.
