Policia ka zbardhur detaje të reja lidhur me incidentin që ndodhi mbrëmë në Shkodër, ku dy persona qëlluan me armë zjarri drejt makinës së një 42-vjeçari dhe më pas e dhunuan.
Sipas autoriteteve përveç arrestimit të dy personave, është shpallur në kërkim edhe një 34-vjeçar, ndërsa janë sekuestruar një pistoletë dhe 4 automjete.
Njoftimi i Policisë
Malësi e Madhe/ Kanosën me armë zjarri pistoletë dhe goditën me sende të forta një 42-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihen në pranga dy vëllezër dhe shpallet në kërkim një 34-vjeçar.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, si dhe 4 automjete.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin rrugor “Koplik – Shkodër” një shtetas ishte kanosur me armë zjarri, organizuan punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Gj. Gj., 63 vjeç, dhe P. Gj., 51 vjeç, banues në fshatin Bajzë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Bajzë.
Nga hetimet dyshohet se këta 3 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të automjetit dhe pas ndalimit në afërsi të rrethrrotullimit në hyrje të qytetit të Koplikut, kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime shtetasit E. T.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
