
30-vjeçari u kap nga policia e Tiranës gjatë operacionit “The Wanted”, pasi akuzohet në Finlandë për disa vepra të rënda penale, përfshirë dhunën, vjedhjen dhe heqjen e paligjshme të lirisë.
Në Tiranë është arrestuar një shtetas finlandez i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili fshihej në zonën e Laprakës. Policia e kryeqytetit, në kuadër të operacionit të koduar The Wanted, vuri në pranga L. E., 30 vjeç, ndaj të cilit autoritetet finlandeze kishin lëshuar urdhër arresti.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë arrest me burg nga Zyra e Prokurorit në Finlandën Perëndimore, pasi akuzohet për një sërë veprash të rënda penale. Këto përfshijnë hyrjen e paligjshme në banesë, vjedhje me dhunë, shtrëngim për dhënie pasurie të mbetur në tentativë dhe heqje të paligjshme të lirisë, në përputhje me legjislacionin penal të Finlandës.
Pas arrestimit, Interpol Tirana ka nisur procedurat e bashkëpunimit me autoritetet finlandeze për ekstradimin e 30-vjeçarit, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë në vendin e tij.
