
Analistët thonë se profili politik dhe ideologjik i kryebashkiakut të ri të Nju Jorkut është unik në Perëndim, duke e bërë figurën e tij të pazakontë dhe pothuajse të pamundur për t’u riprodhuar në skena politike si ajo franceze.
Zgjedhja e Zohran Mamdanit si kryebashkiak i Nju Jorkut ka hapur një debat të gjerë mbi transformimin politik të qytetit më të madh amerikan dhe mbi kufijtë e asaj që mund të ndodhë në demokracitë perëndimore. Në një analizë të botuar nga Al-Quds Al-Arabi, politologu libanez Ziad Majed argumenton se fitorja e këtij kandidati të majtë, me origjinë indiane dhe myslimane, është një rast unik në botën perëndimore, një fenomen që nuk mund të përsëritej në Francë.
Mamdanit, 33 vjeç, i natyralizuar amerikan vetëm në vitin 2018, iu dolën krahë më shumë se gjysma e votuesve të Nju Jorkut në zgjedhjet e 4 nëntorit, të cilat shënuan pjesëmarrjen më të lartë në dekada. Ai është identifikuar hapur si përfaqësues i krahut progresist të majtë, duke qenë anëtar i Socialisteve Demokratike të Amerikës, organizatë që kërkon taksa më të larta për të pasurit, transport publik falas, shërbim shëndetësor më të fortë dhe një sistem arsimor më të barabartë.
Ndryshe nga figurat më tradicionale si Barack Obama, me të cilin është krahasuar shpesh për shkak të origjinës dhe momentit simbolik të zgjedhjes, Mamdani përfaqëson një të majtë shumë më radikale. Ai ka vite që punon në komunitete të prekura nga dëbimet dhe kriza e strehimit, ndërsa në program ka përfshirë ngrirjen e qirave në një qytet ku shtresa e mesme po zhduket nga çmimet e papërballueshme.
Analisti Ziad Majed argumenton se një figurë me këtë profil nuk do të mund të fitonte kurrë në Francë, një vend ku debati mbi fenë, identitetin dhe migracionin është shumë më i ashpër. Sipas tij, Franca ka një sistem politik që nuk i toleron zërat e majtë radikalë me identitete të forta kulturore ose fetare, veçanërisht në nivel kaq të lartë drejtues. Nju Jorku, përkundrazi, është një qytet që i përqafon historikisht figurat e ardhura nga emigracioni dhe aktivizmi progresist.
Mamdani shihet tashmë si simbol i një brezi të ri politikanësh në SHBA, që vijnë nga lëvizjet sociale, jo nga establishmenti politik. Fitorja e tij, sipas Majed, tregon se qytete si Nju Jorku po udhëheqin transformimin ideologjik, ndërsa pjesa tjetër e Perëndimit mbetet shumë më e ngurtë dhe e ndarë përballë figurave të tilla.
