
Pas një konflikti të nisur në Han të Hotit, autorët qëlluan disa herë ndaj makinës së viktimës dhe e dhunuan fizikisht, ndërsa një i tretë është ende në kërkim.
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy vëllezër të dyshuar për sulmin e rëndë ndaj 42-vjeçarit Edison Tirana, ngjarje e cila ndodhi mbrëmjen e kaluar në afërsi të Koplikut. Të arrestuarit janë Gjovalin Gjekaj dhe Pëllumb Gjekaj, ndërsa një 34-vjeçar me inicialet K. Gj. vijon të jetë në kërkim.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka nisur që në pikën kufitare të Hanit të Hotit, ku mes palëve ka pasur një debat për parakalimin e mjeteve. Situata u përshkallëzua kur autorët ndoqën automjetin e Edison Tiranës dhe qëlluan pesë herë në drejtim të tij, duke e goditur në pjesën e pasme. Si pasojë e të shtënave, mjeti doli nga kontrolli dhe u përplas me bordurën pranë hyrjes së Koplikut.
Pas ndalimit të detyruar, të dyshuarit iu afruan viktimës dhe e goditën me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime trupore. 42-vjeçari u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë operacionit policor, i koduar nga strukturat e Malësisë së Madhe dhe DVP Shkodër, u sekuestruan një pistoletë dhe katër automjete të përdorura nga autorët. Policia e Forcës së Posaçme Shqiponja asistoi në lokalizimin dhe arrestimin e dy vëllezërve.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, ndërsa hetimet vijojnë për kapjen e të dyshuarit të tretë.
