Oligarku bullgar me ndikim në vendin e tij Delian Peevski do të kishte dashur prej kohësh të shihte një hetim parlamentar mbi aktivitetet e miliarderit amerikan të bursës dhe filantropit George Soros dhe Fondacioneve të tij të Shoqërisë së Hapur (OSF) në Bullgari. Por prej vitesh ka munguar shumica e nevojshme parlamentare për një hap të tillë. Ndërsa javën e kaluar, më në fund kjo shumicë u arrit.
Një komision i Parlamentit Bullgar i quajtur “Komisioni Ad-hoc për të shqyrtuar aktivitetet e George dhe Alexander Soros dhe fondacioneve të tyre në territorin e Bullgarisë” do të fillojë së shpejti punën e tij.
Komisioni do të raportojë se cilët individë dhe organizata mbështeten nga babai dhe i biri Sorosit dhe kush ka marrë para nga fondacioni i tyre OSF.
Aktualisht nuk janë parashikuar pasoja ligjore kundër individëve dhe organizatave të lidhura me Sorosin dhe fondacionet e tij.
Megjithatë parlamenti bullgar ndonjëherë – sipas modelit të ligjit rus “kundër agjentëve të huaj” vendosur në vitin 2012 – mund të ndërmarrë një përpjekje të tillë. Në shkurt 2025 pati një përpjekje, por për projektligjin nuk u arrit të krijohet shumica e nevojshme për ta kaluar atë në parlament. Derisa për këtë të ketë një shumicë, përpjekje të tilla do të mbeten një lloj propagande dhe demaskimi publik: Fjala është që të mund të denigrohet si “Sorosoid” – kjo është fjala fyese në bullgarisht – kushdo që me gjasë apo faktikisht ka pasur të bëjë me filantropin liberal.
Iniciatori i këtij projektligji, Deljan Peevski, që prej 20 vjetësh është ndër figurat më të spikatura të përfshira në skandale në historinë postkomuniste të Bullgarisë dhe emri i tij lidhet me një sërë pështjellimesh ndërmjet kriminalitetit të organizuar dhe politikës së nivelit të lartë. SHBA-ja dhe Britania e Madhe e kanë sanksionuar biznesmenin dhe manjatin e medias dhe kanë sekuestruar një pjesë të pasurisë së tij jashtë vendit. Por pavarësisht kësaj në Bullgari që është vend anëtar i BE-së Peevski vazhdon të ketë ndikim të fuqishëm në politikë. Në debatin për komisionin hetimor në parlament ai tha: “Ka ardhur koha për një betejë vendimtare. Bota e rreme e Sorosit dhe e Sorosoidëve duhet të shkatërrohet.”
Shqipëria rast i veçantë
Një rast i veçantë në narrativën anti-Soros në Europën Juglindore është prej kohësh Shqipëria. Këtë narrativë e përdor opozita, por jo qeveria. Opozita e përdor këtë narrativë si kritikë ndaj kryeministrit Edi Rama (PS), i cili është në këtë post që nga viti 2013 dhe shpesh preferon të përdorë metoda të qeverisjes autoritare. Partia demokratike nacional-konservatore (PD) e akuzon Ramën, se është një “fanar ndriçues i Sorosizmit”. George Soros dhe djali i tij Alexander, sipas opozitës, që nga viti 2013 bashkë me Ramën kanë zbatuar një plan sekret, për të qendruar në pushtet në Shqipëri afatgjatë përmes reformës në drejtësi, kushtuese dhe elektorale.
