
Pjesët rezervë për avionët F-16 dhe C-130 pritet të forcojnë mbrojtjen ajrore të Tajvanit, mes reagimeve të ashpra nga Kina.
Administrata amerikane ka dhënë miratimin për një paketë të re shitjesh ushtarake ndaj Tajvanit, me vlerë rreth 330 milionë dollarë. Ky është vendimi i parë i këtij lloji që nga marrja e detyrës nga presidenti Donald Tramp në janar të këtij viti, një hap që ka sjellë falënderime nga Taipei dhe zemërim nga Pekini.
Pentagoni njoftoi se paketa përfshin pjesë këmbimi dhe mirëmbajtjeje për avionët luftarakë F-16, për avionët transportues C-130, si dhe për mjete të tjera ushtarake. Sipas njoftimit zyrtar, kjo marrëveshje synon të “forcojë gatishmërinë operacionale të flotës ajrore të Tajvanit përballë kërcënimeve aktuale dhe të ardhshme”.
Tajvani e përshëndeti menjëherë vendimin, duke e cilësuar atë si një garanci të vazhdueshme të mbështetjes amerikane. Zëdhënësja e presidencës, Karen Kuo, deklaroi se partneriteti strategjik SHBA–Tajvan mbetet “shtylla kryesore e paqes dhe stabilitetit në Indo-Paqësor”.
Ministria tajvaneze e Mbrojtjes theksoi se furnizimet e reja do të rrisin aftësinë e mbrojtjes ajrore të vendit, veçanërisht në përgjigje të presioneve të vazhdueshme të Kinës, e cila kryen rregullisht fluturime dhe manovra ushtarake pranë hapësirës ajrore të ishullit, të njohura si operacione të “zonës gri”.
Nga ana tjetër, Kina reagoi ashpër ndaj vendimit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, e quajti çështjen e Tajvanit “vijën e kuqe të panegociueshme” dhe paralajmëroi se shitjet e reja të armëve “cenojnë rëndë sovranitetin e Kinës”.
Pavarësisht presionit të Pekinit, Uashingtoni mbetet i detyruar me ligj t’i sigurojë Tajvanit mjetet e nevojshme për vetëmbrojtje. Ndërkohë, presidenti Trump ka deklaruar se presidenti kinez Xi Jinping i ka premtuar se nuk do të ndërmarrë pushtim ushtarak ndaj Tajvanit gjatë mandatit të tij.
Marrëveshja vjen vetëm pak javë pas takimit Tramp-Xi në Korenë e Jugut, një takim që u pa me ankth në Taipei nga frika se interesat e Tajvanit mund të viheshin në rrezik gjatë negociatave tregtare.
Në Tajvan, autoritetet e shohin këtë marrëveshje si një sinjal të qartë se mbështetja amerikane vazhdon pavarësisht tensioneve gjeopolitike në rajon.
