
Artistja shfaqet në Paris përpara katër koncerteve madhore, ndërsa rrëfen betejat personale dhe kritikën e ashpër ndaj filmit “Joker: Folie à Deux”.
Lady Gaga ka mbërritur në Paris, ku po përgatitet për katër koncertet e radhës të turneut “Mayhem Ball”. Të shtunën në mbrëmje, ajo u shfaq në një darkë romantike në restorantin Laperouse, e veshur me një kostum elegant prej dantelle, në shoqërinë e të fejuarit të saj, Michael Polansky.
Ndërsa energjia e turneut po rritet, Gaga ka folur hapur për sfidat e saj personale në një intervistë të fundit për Rolling Stone. Artistja rrëfeu se është përballur me kritika të forta pas publikimit të filmit “Joker: Folie à Deux”, ku ajo luan Harley Quinn. “Ishte shumë negativitet rreth filmit… por unë isha artistikisht rebele”, tha ajo, duke shtuar se kritikat ekstreme e bënë të qeshte nga absurditeti i tyre.
Gaga u ndal edhe te periudhat e errëta të shëndetit të saj mendor. Ajo tregoi se gjatë xhirimeve të “A Star Is Born” në vitin 2017, ishte nën efektin e litiumit ndërsa përpiqej të përballonte maninë dhe bipolaritetin. Psikoza e detyroi të ndërpriste turneun “Joanne World Tour”, një moment që ajo e përshkroi si “tmerrësisht të frikshëm”.
Një rol të madh në rikthimin e saj e ka pasur familja, sidomos motra, e cila është shprehur: “Nuk e shoh më motrën time”. Këto fjalë e çuan këngëtaren drejt një trajtimi intensiv spitalor.
Sot, Gaga thotë se është “një njeri i shëndetshëm dhe i plotë”, dhe meritën ia atribuon edhe partnerit të saj Michael Polansky. “Dashuria me dikë që të do për atë që je, ka bërë diferencën më të madhe”, theksoi ajo. Përvojat e vështira i ka shndërruar në frymëzim për albumin e saj të ri, “Mayhem”.
Megjithatë, sfidat nuk kanë mbaruar. Gaga pranon se gjatë turneut përjeton kriza ankthi: “Gjatë 90 sekondave para daljes në skenë, duhet të luftoj me një sulm paniku… por stërvitja mendore më shpëton”.
