
Kreu i PD- thotë se Kuvendi është “i mbyllur për opozitën” dhe se protesta e re synon të krijojë hapësirë për debat publik.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se të hënën opozita do të nisë një format të ri proteste, të cilin e quan “platforma parlamentare”. Sipas tij, kjo formë veprimi do të zhvillohet përpara godinës së Kryeministrisë dhe synon të zëvendësojë hapësirën që, sipas tij, opozita nuk e gjen më brenda Kuvendit.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Berisha akuzoi mazhorancën se po miraton programin dhe buxhetin e qeverisë pa debat real, duke kufizuar në minimum të drejtën e fjalës për deputetët e opozitës.
“Partia Demokratike hedh hapin më të rëndësishëm ndaj një parlamenti të kapur, ku qeveria kalon çdo akt pa diskutim dhe opozita lejohet të flasë vetëm një herë në nëntë seanca,” shkroi ai, duke shtuar se protesta e re është, sipas tij, “rruga e vetme e mbetur”.
Berisha thekson se kjo nismë ka për qëllim të krijojë një tribunë alternative, ku opozita të artikulojë qëndrimet e saj dhe të denoncojë atë që e konsideron mungesë transparence dhe demokracie parlamentare.
