
I shpallur në kërkim ndërkombëtar, Klajdi Murrizi sillet në Shqipëri për të vuajtur dënimin prej 6 vitesh burg.
Autoritetet italiane kanë ekstraduar drejt Shqipërisë 31-vjeçarin Klajdi Murrizi, i dënuar me vendim të formës së prerë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni u finalizua falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma.
Murrizi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e dënoi në vitin 2024 me 6 vite burg për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
Ngjarja për të cilën u dënua daton në vitin 2022, kur ai u diktua nga policia teksa do të dorëzonte një sasi droge. Në përpjekje për të shmangur arrestimin, ai hodhi lëndën narkotike dhe u largua me shpejtësi me një automjet me targa të huaja, duke mos ndaluar në një pikë kontrolli në zonën e Divjakës.
Pas mbërritjes në Shqipëri, 31-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të nisur vuajtjen e dënimit.
