
Ish-presidenti akuzon “narkoshtetin” për rrëmbimin e tij para zgjedhjeve dhe thotë se në Shqipëri mungon proporcionaliteti dhe prezumimi i pafajësisë.
Ilir Meta ka shpërthyer me një reagim të gjatë në rrjete sociale, duke komentuar arrestimin dhe më pas lirimin e ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy, të cilin e cilëson si shembull të drejtësisë europiane që, sipas tij, mungon në Shqipëri. Meta thekson se mënyra se si Sarkozy u shoqërua drejt qelisë ishte “dinjitoze”, ndërsa lirimi i tij pas 20 ditësh provon se Franca respekton ligjin, prezumimin e pafajësisë dhe proporcionalitetin.
Meta ndalet gjatë te proceset e tij hetimore në Shqipëri, duke i quajtur “mafioze” dhe duke akuzuar qeverinë se e ka përdorur drejtësinë si instrument politik për ta goditur në prag zgjedhjesh. Ai thotë se ndryshe nga Franca, ku gjykata është mbi prokurorinë, në Shqipëri drejtësia është kapur dhe shndërruar në “Ramaformë”, një version i deformuar i reformës së miratuar fillimisht me konsensus të gjerë.
Në postimin e tij, Meta rikthehet edhe te disa dosje të bujshme, duke përmendur inceneratorët, “tigrat e Bangladeshit”, aferat e CEZ-it dhe qindra urdhër-arreste për figura të krimit të organizuar që, sipas tij, po mbahen në sirtar për interesa politike.
Ai përmend gjithashtu deklaratat e prokurorit italian të antimafies, Nicola Gratteri, dhe të eurodeputetëve që kanë folur për ndikimin e grupeve kriminale në proceset elektorale, duke thënë se ato konfirmojnë akuzat e tij për ekzistencën e një “narkoshteti”.
Meta paralajmëron se çështjet që e prekin personalisht do të çohen deri në Gjykatën e Strasburgut, ku, siç shprehet ai, “ndëshkohen autokratët”. Duke e mbyllur komentimin me një krahasim historik nga rasti Avni Rustemi, ai thekson se drejtësia e vërtetë europiane dallon nga ajo që, sipas tij, praktikohet sot në Shqipëri.
Reagimi i tij ka rikthyer debatin për gjendjen e drejtësisë në vend, rolin e SPAK dhe akuzat politike mes palëve.
