
FTO Justin Brown pësoi dëmtime të rënda pasi motori i tij u përplas me një automjet të Patrullës së Autostradës; qytetarët e shpëtuan duke i dhënë ndihmën e parë në vendngjarje.
Një oficer policie në Maryville, Tennessee, ndodhet në gjendje kritike pasi u përfshi në një aksident të rëndë gjatë eskortimit të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance të premten mbrëma.
FTO Justin Brown, pjesë e ekipit të sigurisë që shoqëronte motorcaden e zyrtarit amerikan, u plagos rëndë në orën 18:11, kur motori i tij u përplas me një automjet të Patrullës së Autostradës. Pamjet dhe raportimet e para e përshkruajnë goditjen si të fortë dhe të papritur.
Sipas njoftimit të Policisë së Maryville, qytetarët që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes reaguan menjëherë dhe i dhanë ndihmën e parë oficerit, duke i shpëtuar jetën para se ai të transportohej me urgjencë në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Tennessees.
“Këta qytetarë janë heronj të vërtetë. Reagimi i tyre i menjëhershëm i shpëtoi jetën FTO Brown,” deklaroi shefi i policisë Tony Jay Crisp. Oficeri iu nënshtrua një operacioni të shtunën në mëngjes dhe vazhdon të jetë në gjendje kritike.
Crisp falënderoi komunitetin për mbështetjen dhe lutjet, duke shtuar se mendimet e tyre shkojnë edhe për trooper-in që u përfshi në përplasjen fatale.
Ndërkohë, ekipi hetimor i Patrullës së Autostradës së Tennessee-s ka nisur një analizë të detajuar të aksidentit, teksa nuk janë bërë publike ende shkaqet që çuan në përplasjen mes mjetit dhe motorit të oficerit Brown.
Zëvendëspresidenti JD Vance, i cili kishte mbërritur në shtet pak minuta para incidentit për një aktivitet fondmbledhës, nuk ka bërë ende një deklaratë publike mbi aksidentin.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në mbarë shtetin, ndërsa komuniteti i Maryville vazhdon të shprehë mbështetjen për oficerin Brown dhe familjen e tij në këto momente kritike.
