Ora po afron dhe në 18:00 nis ndeshja e kuqezinjëve kundër Anglisë në “Air Albania” dhe mijëra tifozë të Kombëtares janë tubuar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Me ngjyrat kuqezi dhe me qeleshe, këngë dhe valle patriotike, dueli pritet me interes dhe do kthehet në festë, pasi si Shqipëria dhe Anglia i kanë arritur objektivat.
Sot në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Anglinë në ndeshjen e fundit të Grupit K për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Anglia kryeson grupin me 21 pikë, ndërsa Shqipëria renditet e dyta me 14 pikë, katër më shumë se Serbia e vendit të tretë, e cila tashmë është eliminuar. Për kuqezinjtë, sfida e sotme shërben si përgatitje për fazën e play-off-it të Botërorit, ndërsa Anglia ka siguruar kualifikimin direkt, si e para e grupit.
Historia e përballjeve mes dy skuadrave favorizon anglezët, të cilët kanë fituar të gjitha 7 ndeshjet e mëparshme me një golavarazh total prej 21-1.
Megjithatë, Shqipëria vjen në këtë takim me moral të lartë, pas një serie historike prej pesë fitoreve radhazi, përfshirë sukseset ndaj Gjibraltarit, Letonisë, Serbisë, Jordanisë dhe Andorrës.
Kuqezinjtë nuk kanë humbur që nga 21 marsi, kur u mposhtën nga Anglia në Londër, duke regjistruar tetë ndeshje radhazi pa humbje, me gjashtë fitore dhe dy barazime, dhe një golavarazh 8-2 në pesë ndeshjet e fundit.
Takimin do ta gjykojë arbitri italian Marco Guida, i shoqëruar nga ndihmësit Giorgio Peretti dhe Alessio Berti, ndërsa zyrtar i katërt do të jetë Simone Sozza. Në rolin e videoasistentit do të jetë Marco Di Bello, me ndihmës Valerio Marini.
Federata Shqiptare e Futbollit njofton se të gjitha biletat janë shitur dhe stadiumi do të jetë i mbushur plot me tifozë nga e gjithë Shqipëria, si dhe nga trojet shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora. Festimet e tifozëve pritet të fillojnë që nga ora e mbërritjesnë stadium dhe të vazhdojnë pas ndeshjes, për të kremtuar kualifikimin historik në play-off.
