
Sulmet ndodhën ndërsa Zelensky vijon turneun diplomatik në kryeqytetet evropiane për të siguruar më shumë mbështetje për Ukrainën.
Rusia ka vazhduar ofensivën ajrore ndaj Ukrainës, duke shkaktuar viktima të reja civile në rajonin e Harkivit. Autoritetet ukrainase bënë të ditur se gjatë natës, bombardimet ruse goditën qytetin lindor të Balaklias, një pikë strategjike hekurudhore.
Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave, tre persona humbën jetën dhe të paktën 13 të tjerë u plagosën, mes tyre edhe katër fëmijë. Ekipet e shpëtimit vazhduan kërkimet mes rrënojave gjatë mëngjesit, ndërsa numri i të dëmtuarve mund të rritet.
Sulmet vijnë në një moment kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është në një tur diplomatik në disa kryeqytete evropiane, me qëllimin kryesor sigurimin e mbështetjes ushtarake dhe politike përballë agresionit të vazhdueshëm rus.
Balaklia, e goditur shpesh nga raketat gjatë muajve të fundit, mbetet një nga zonat më të ekspozuara ndaj sulmeve ruse për shkak të pozicionit të saj strategjik.
Autoritetet ukrainase kanë akuzuar Moskën se po synon qëllimisht zonat civile, ndërsa Rusia pretendon se shënjestron vetëm infrastruktura ushtarake. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar vazhdon të dënojë përshkallëzimin e sulmeve ndaj civilëve.
