
Demonstratat masive nga veriu në jug të vendit përshkallëzohen në përplasje të dhunshme me policinë në Mexico City.
Të paktën 120 persona u plagosën në Meksikë pasi mijëra protestues të brezit Gen Z dolën në rrugët e Mexico City dhe dhjetëra qyteteve të tjera, duke kërkuar fundin e korrupsionit dhe dhunës së karteleve të drogës që prej vitesh po merr mijëra jetë.
Tubimet masive të së shtunës, që nisën qetësisht në shumë zona të vendit, u mbajtën nga Tijuana në veri deri në Oaxaca në jug. Në Mexico City, qytetarët u mblodhën në sheshin Zócalo përpara godinës së presidentes Claudia Sheinbaum, ndërsa shumë prej tyre mbanin flamurin e piratëve nga seria “One Piece”, tashmë simbol global i lëvizjes së të rinjve.
“Ne kemi nevojë për më shumë siguri,” tha protestuesi 29-vjeçar Andres Massa.
Por pas disa orësh, atmosfera u tensionua kur një grup individësh me kapuç u përplasën me policinë. Protestuesit hodhën gurë, ndërsa forcat e rendit u kundërpërgjigjën me shkopinj, mburoja dhe shuarës zjarri. Sipas autoriteteve lokale, 100 policë mbetën të plagosur, 40 prej tyre u shtruan në spital, ndërsa 20 protestues u lënduan.
Pamjet e dhunës, ku policia shihet duke goditur protestues të rrëzuar në tokë, u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale. Një fotograf i të përditshmes La Jornada akuzoi policinë se e kishte dhunuar gjatë raportimit nga terreni.
Përplasje u raportuan edhe në Guadalajara, qyteti i dytë më i madh i vendit, ku policia ndaloi 47 persona dhe 13 të tjerë mbetën të plagosur.
Presidentja Claudia Sheinbaum, e cila ka popullaritet mbi 70%, dënoi aktet e dhunës gjatë një vizite në Tabasco. Por kritikat ndaj saj janë shtuar pas disa vrasjeve të profilit të lartë, përfshirë atë të kryebashkiakut të Uruapanit, Carlos Alberto Manzo Rodríguez, i cili u vra më 1 nëntor, pasi kishte nisur një luftë të hapur kundër karteleve.
Protestuesit në Zócalo goditën barrierat metalike që rrethonin Pallatin Kombëtar, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe shuarës zjarri për t’i zmbrapsur. “Kështu duhej ta kishit mbrojtur Carlos Manzon,” u dëgjua të thërrisnin protestuesit.
Qindra të rinj hodhën objekte kundrejt policisë, e cila reagoi me mjete të forta. Ndërkohë, Sheinbaum akuzoi partitë e djathta dhe aktorë të huaj se po përpiqen të ndikojnë dhe të manipulojnë lëvizjen e Gen Z për qëllime politike.
Hetimet mbi dhunën e protestave po vijojnë, ndërsa tubimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
