
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka vendosur të marrë në shqyrtim padinë e paraqitur nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kundërshtojnë ligjin që i detyron të punojnë me detyrim në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.
Ky është rasti më i fundit ku shteti shqiptar përballet me një padi në instancën më të lartë europiane për të drejtat e njeriut. Kërkesa e studentëve, e dorëzuar në qershor të vitit të kaluar, synon shfuqizimin e ligjit të miratuar nga qeveria në korrik 2023, të cilin ata e konsiderojnë shkelje të lirive dhe të drejtave themelore.
Në shkurt 2024, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë la në fuqi ligjin, por propozoi ndryshime në periudhën e detyrimit: studentët e viteve 2 dhe 4 duhet të punojnë 3 vite në vend, ndërsa ata të viteve 5–6 vetëm 2 vite. Po ashtu, parashikohet një sanksion financiar për studentët që refuzojnë të nënshkruajnë kontratën, me pagesë të detyruar në vlerën e pesëfishit të tarifës vjetore të studimeve.
Këto ndryshime nuk i bindën studentët, të cilët argumentojnë se ligji cenon lirinë e profesioni dhe të drejtën për zgjedhje të lirë të vendbanimit e vendpunësimit. Për këtë arsye, ata vendosën t’i drejtohen Strasburgut, duke kërkuar që ligji të shpallet në kundërshtim me standardet e Konventës Europiane.
Me pranimin e padisë për shqyrtim, Strasburgu i hap rrugën një beteje të re ligjore, e cila mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë mbi të ardhmen e qindra studentëve të Mjekësisë dhe politikave publike në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri.
