
Një incident i rëndë ka tronditur mbrëmjen e së dielës zonën e Veternikut, ku reperi i njohur Don Xhoni, së bashku me vëllain e tij dhe disa persona të tjerë, dyshohet se kanë sulmuar producentin e muzikës Shkumbin Nebihu, i njohur si Bini Diez.
Burime pranë “Paparacit” raportojnë se gjatë përplasjes është përdorur edhe armë zjarri, ndërsa automjeti i producentit është dëmtuar rëndë nga grupi që shoqëronte reperin. Nebihu ka treguar se sulmi ka qenë i mirëorganizuar, pasi rruga iu ishte bllokuar me qëllim.
Në një prononcim për “Prive by LS”, Bini Diez, ende i tronditur nga ngjarja, tha se incidenti ka ndodhur në prani të familjes së tij, duke e cilësuar rastin si të papranueshëm dhe jashtë çdo norme shqiptare.
“Jam i shokuar. Ajo që ka ndodhur sonte është më e rënda që kam përjetuar ndonjëherë. Nuk është traditë jonë të sulmohet dikush, e aq më pak kur është me familje,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se situata ka qenë e dhunshme dhe e paprovokuar.
Producenti konfirmoi se mes sulmuesve ka parë qartë Don Xhonin dhe vëllain e tij.
“Ma kanë zënë rrugën me një makinë. Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Nuk pata as mundësi të reagoja,” deklaroi ai.
Organet e rendit kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Don Xhoni apo përfaqësuesit e tij.
Ngjarja ka hapur debat të madh publik, duke ngritur pyetje mbi motivet e sulmit dhe nivelin e sigurisë në komunitetin artistik.
