
Megjithëse Banka e Shtetit ia hoqi licencën në vitin 2020 për qarkullim ilegal të 300 milionë eurove, drejtuesit e Postës vijojnë aktivitetet financiare të ndaluara në bashkëpunim me “IuteCredit Group”, agjencitë jo-bankare dhe disa banka, duke u kthyer në kanal zhvatjeje dhe pastrimi parash për pushtetarë e grupe kriminale, pa asnjë ndërhyrje nga drejtësia…
Dokumenti zyrtar që po publikon “Pamfleti” vërteton faktin se shoqërisë Posta Shqiptare i ndalohet të kryejë aktivitet financiar jo-bankar e bankar vetë, por edhe nëpërmjet agjencive jo-bankare dhe bankave.
Sepse Banka e Shtetit i ka hequr licencën qysh para 5 vitesh, me Vendimin Nr. 3182, datë 8 korrik 2020, të bazuar në raportin e përbashkët të SHISH dhe Anti-Krimit Ekonomiko-Financiar, ku thuhej se nëpërmjet aktiviteteve ilegale jo-bankare brenda Postës, kishin qarkulluar 300 milionë euro të botës së krimit.
Por edhe pas heqjes së licencës nga Banka e Shtetit, ish-drejtori i Postës, Laert Duraj (që në vitin 2021 u bë deputet i PS-së) dhe pasardhësit Hipokrat Biba, Ervin Bushati e Ardit Demiri, vazhduan aktivitetin ilegal jo-bankar, me transferim e qarkullim milionash ilegale, këmbim valutor dhe monedhë elektronike.
Këtë aktivitet financiar të palicencuar, Posta Shqiptare vazhdon ta kryejë edhe sot, nëpërmjet bashkëpunimit me agjenci jo-bankare si “IutePay & IuteCredit Group”, me përfaqësues e ortak Akan Ajdinin, i skeduar për mashtrime, falsifikime dhe zhvatje të qytetarëve me mikro-kredi.

Përveç kësaj agjencie, Posta Shqiptare po bashkëpunon në aktivitete të paligjshme financiare jo-bankare edhe me:
“Fondi Besa” të Bajram Muçajt,
“NOA” të Andi Balltës,
“Virtus Landing” të shtetasve kosovarë Hekuran Dajaku, Elena Krasniqi e Dior Sahiti,
“Credital” të Elton Janinës, Klei Kaçupit dhe Dashnor Osmanit.
Sipas raporteve të agjencive inteligjente, nëpërmjet kredi-dhënieve jo-bankare dhe blerjes së kredive të këqija nga bankat, këto subjekte transferojnë, qarkullojnë dhe pastrojnë milionat e pushtetarëve dhe grupeve kriminale.
Ndërkohë, Posta Shqiptare kryen veprimtari financiare edhe me “Raiffeisen Bank”, “OTP Bank”, “Banka Amerikane e Investimeve (BAI)” etj., të cilat delegojnë kreditë te agjencitë jo-bankare dhe bëjnë lojëra me kursin e këmbimit valutor.
Kjo veprimtari në bashkëpunim me agjencitë private financiare, kryer nga shoqëria shtetërore “Posta Shqiptare”, megjithëse Banka e Shtetit i ka hequr licencën prej korrikut 2020, nuk po bëhet objekt hetimi nga agjencitë anti-krim dhe drejtësia, ndonëse kanë dijeni të plotë.
Prej kohësh, Banka e Shtetit ka dhënë alarmin për rrezikun e agjencive jo-bankare dhe bankave të lidhura me mafien, të cilat kanë shkaktuar probleme të rënda financiare për mijëra qytetarë e biznese. Ndërsa Posta Shqiptare po shërben si kanal aktiviteti për to, për zhvatjen e qytetarëve dhe pastrimin e parave të krimit./Pamfleti
