
Pas deklaratave të ashpra dhe përplasjesh publike, presidenti amerikan dhe kryebashkiaku i zgjedhur i qytetit më të madh të SHBA duken të gatshëm të ulen në një tavolinë.
Presidenti amerikan Donald Tramp ka sinjalizuar se është gati të zhvillojë një takim me kryebashkiakun e ri të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, duke hapur kështu një kapitull të ri pas muajsh të tërë tensioni, kërcënimesh politike dhe retorike të ashpër.
Duke folur për gazetarët të dielën, më 16 nëntor, Tramp tha:
“Kryetari i Nju Jorkut, duhet ta them, ka kërkuar të takohet me ne. Do ta rregullojmë.”
Deklarata e presidentit vjen pas një gare të ashpër elektorale në të cilën Mamdani, një demokrat progresist me origjinë ugandane dhe lindur në Amerikë, mposhti kandidatin e mbështetur nga Trump, ish-guvernatorin Andrew Cuomo, me një diferencë prej nëntë pikësh.
Më pas, sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, sqaroi se Tramp i referohej pikërisht Mamdanit, duke theksuar se administrata kërkon “që çdo gjë të funksionojë sa më mirë për Nju Jorkun”.
Marrëdhëniet mes Tramp dhe Mamdanit kanë qenë të acaruara që prej fillimit të fushatës. Presidenti madje kërcënoi publikisht deportimin e 34-vjeçarit me origjinë ugandane, ndërsa Mamdani në fjalimin e tij të fitores u zotua se Nju Jorku do të tregojë si mund të mposhtet Tramp.
Po ashtu, ai kritikoi fuqishëm politikat anti-emigracion të administratës, duke deklaruar:
“Nju Jorku do të mbetet qyteti i emigrantëve, i ndërtuar dhe i fuqizuar prej emigrantëve – dhe nga sot, edhe i drejtuar prej një emigranti.”
Megjithatë, vetëm një ditë pas fitores, Mamdani u shpreh se është i hapur për të punuar me këdo, madje edhe me presidentin, nëse kjo i shërben qytetarëve të Nju Jorkut.
Për momentin, ekipi i tij nuk ka reaguar ende ndaj komenteve të fundit të Tramp.
Takimi i mundshëm pritet të shënojë një përpjekje të rrallë për qetësim të ujërave politike midis dy figurave që i ndajnë pothuajse të gjitha çështjet kryesore politike — përveç një gjëje: Nju Jorku ka nevojë për bashkëpunim mes pushtetit lokal dhe atij federal.
