Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se kryetari i ri PDK-së duhet të jetë edhe kandidati i ardhshëm për kryeministër. Ai para delegatëve në Konventën e Jashtëzakonshme të PDK-së tha se ka dhënë dorëheqje prej postit të kryetarit të partisë për ta krijuar një momentum të ri në PDK për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke deklaruar se se PDK-së i duhet një energji e re.
“Kosovës i duhet PDK-ja dhe i duhet secili prej jush, çdo anëtar i devotshëm i familjes sonë politike. Lidershipi nuk matet me sa gjatë mban një pozicion, por me momentin kur di ta lëshosh atë…E dorëzoj postin sepse, pas gati 1600 ditësh, besoj se PDK-së i duhet një momentum i ri dhe një kapitull i ri, derisa përgatitet për zgjedhjet e ardhshme. Po e bëj këtë hap sepse besoj thellë se PDK ka nevojë për një energji të re dhe se ka nevojë që kryetari i saj të jetë edhe kandidati ynë për kryeministër në të ardhmen. Po e bëj këtë nga përgjegjësia që ndjej dhe jo sepse shtëpia jonë është e thyer. Po dorë-hiqem, sepse PDK-në po e lë më të fortë sesa e gjeta”, tha ai.
Krasniqi i bëri thirrje të gjithë ish-anëtarëve të PDK-së që të kthehen në parti dhe t’i lënë pakënaqësitë anash.
