
Gazetari zbulon prapaskenat e përfshirjes së Lamit, personit kyç që familja Martinaj beson se mban informacionin e humbur
Gazetari Artan Hoxha ka hedhur dritë mbi detaje të reja që lidhen me zhdukjen e shumëpërfolur të Ervis Martinajt, duke vënë në qendër të dyshimeve emrin e Ervis Lamit aktualisht i shpallur në kërkim për vendosjen e tritolit në një restorant në Kamëz.
Sipas Hoxhës, familjarët e Martinajt kanë qenë të bindur që në ditët e para të zhdukjes se Lami ishte personi që mbante çelësin e kësaj enigme. “Ata më thanë hapur se Lami kishte informacion dhe se nuk besonin që do bashkëpunonte me policinë”, deklaroi ai në Euronews Albania.
Hoxha kujtoi se në skenë e solli për herë të parë Elvis Lame personazh i njohur i botës së krimit dhe njeri i afërt me Admir Tafilin. Sipas tij, Lame ishte ai që e ekspozoi Lamit rolin e dyshimtë në zhdukjen e Martinajt.
Ai shpjegoi se Lame ka qenë i përfshirë në ngjarjet më të bujshme kriminale të viteve të shkuara: arratisjen spektakolare të Admir Tafilit nga burgu i Drenovës dhe hedhjen e një granate në qendër të qytetit për të mundësuar arratisjen e tij dhe 13 të tjerëve, një episod ku ai ishte vetëm 18 vjeç.
Pas zhdukjes së Martinajt, Lami, konsideruar si njeriu më i afërt me të, u bë automatikisht objektiv i palës kundërshtare. “Kur kundërshtari arrin të kap njeriun tënd më të afërt, informacioni i humbur të fundos”, u shpreh Hoxha.
Gazetari tregoi se kishte kontaktuar me familjen Martinaj rreth 10 ditë pas zhdukjes së Ervisit. Babai i tij, Mustafa Martinaj, i kishte thënë se besonte që Lami dinte çfarë kishte ndodhur me djalin e tij, por se familja nuk kishte më asnjë mjet komunikimi me të.
Dyshimet e tyre u forcuan edhe më shumë kur Lami doli shpejt nga proceset paraprake të hetimit.
31-vjeçari është një emër i hershëm në dosjet e policisë. Përveç dyshimeve për tritolin në Kamëz, ai ka qenë i shpallur në kërkim për vrasjen e postierit Lulzim Visha, në janar të këtij viti. Një profil kriminal i ndërlikuar, i lidhur me emra të njohur të botës së nëndheshme dhe i vendosur në pikë kyçe të ngjarjeve më të bujshme të viteve të fundit.
Aktualisht, ai mbetet një nga personat më të kërkuar, ndërsa dyshimet për rolin e tij në zhdukjen e Ervis Martinajt po marrin gjithnjë e më shumë peshë.
