Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke i lidhur me licencimin e kazinove për llogari të kartelit meksikan Sinaloa dhe duke e akuzuar SPAK-un për një “genocid” ndaj familjes së tij.
Në një lidhje telefonike me Çim Peka Live në SYRI TV, i pyetur me licencën e dhënë për disa shtetas shqiptaro-meksikanë, të shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Thesarit për pastrim parash të kartelit Sinaloa, Ahmetaj mohoi kategorikisht të ketë firmosur ndonjë licencë kazinoje gjatë kohës që shërbente si ministër i Financave. “Sa kam qenë unë ministër i Financave nuk ka pasur liçenca kazino. Zero,” deklaroi ai, duke e adresuar përgjegjësinë te kryeministri. “Pyesni Edi Ramën,” shtoi ai, duke kujtuar se kryeministri e ka sulmuar publikisht dhe ka paralajmëruar se do të përfundonte në duart e drejtësisë.
Në vijim, Ahmetaj drejtoi kritika të ashpra ndaj SPAK, duke pretenduar se ky institucion nuk ka kryer hetime të thelluara për pastrimin e parave nga organizatat kriminale. Sipas tij, në vend që të hetojë krimin e organizuar “nga A-ja te Zh-ja”, SPAK po kryen një “genocid kundër familjes” së tij. “E kanë menduar ndonjëherë këta kur shkojnë në shtëpi, që kanë shkatërruar jetë pa të drejtë?” pyeti ai, duke lënë të kuptohet se është duke u përndjekur padrejtësisht.
Debati mori një tjetër drejtim kur u soll në vëmendje një episod i ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli. U zbulua se kupola drejtuese e SPAK, përfshirë kreun Altin Dumani dhe Arben Kraja, ishin të pranishëm me familjet e tyre në tribunën VIP të stadiumit. Kjo ngriti pyetje mbi mënyrën se si prokurorët siguruan biletat e shtrenjta dhe mbi imazhin publik që përcjellin, duke u shfaqur të relaksuar dhe duke u argëtuar, ndërkohë që supozohet se janë në krye të luftës kundër krimit dhe korrupsionit.
Në këtë kontekst, u hodh hipoteza se përndjekja ndaj Ahmetajt mund të jetë një reagim ndaj dëshmive të tij, të cilat duket se kanë “prishur rahatllëkun” e zyrtarëve të lartë. Sipas këtij arsyetimi, shfaqja publike e drejtuesve të SPAK-ut në evente luksoze dhe sulmet ndaj familjes së Ahmetajt janë dy anë të së njëjtës medalje: një sistem që godet këdo që i cenon rehatinë.
