Biseda:
Ylli Rakipi: A keni patur njerëz pranë që ju kanë mbështetur? Ju, por veçanërisht Meta keni patur shumë pushtet, keni njohur njerëz pafund. Kanë treguar ata mirënjohje, apo siç ndodh kur rrëzohesh, largohen?
Monika Kryemadhi: Si në të gjithë botën, mosmirënjohja është ushqimi i parë që ofrohet. Sigurisht njerëzit të cilët kanë përfituar më shumë nga të ndenjurit afër me ne, nuk i kemi parë, por kanë qenë me thikë në gojë kundër meje dhe Metës, shumë pak njerëz janë, me gishtat e dorës, janë njerëz që shkruajnë, njerëzve që kemi patur mirëmëngjes dhe mirëmbrëma, kanë qenë njerëz që shkruajnë, pyesin, si jeni, si janë fëmijët. Por nuk është ndonjë qamet i madh, sepse bota rrotullohet, portokallja është e vogël dhe vjen shpejt. Si ashensor është. E rëndësishme është të mos këputet kablli i ashensorit.
Ylli Rakipi: Keni deklauar disa herë që nuk e takoni Metën në burg? Pse?
Monika Kryemadhi: Marrëdhëniet e mia me Metën i kam të mbyllura, atje shkojnë fëmijët, e motra. Unë arsye për tu kontaktuar me të nuk kam. Marrëdhënia ime me të është e mbyllur. E kam thënë, do të martojmë fëmijët, do të kemi sebepe, por arsye ta takoj në burg nuk kam.
Ylli Rakipi: Po fëmijët, si ka qenë kjo peridhë për ta?
Monika Kryemadhi: Janë tre fëmijë të mrekullueshëm. Ka qenë e vështirë. Ata kanë qenë mbështetje e madhe emocionale për mua dhe për babain e tyre, aq sa kanë patur mundësinë dhe sa kanë ditur. Ata nuk e kanë kaluar jetën e tyre me ne por me gjyshen më shumë. Ne na kanë parë nga televizori më shumë. Ka qenë e vështirë edhe për ta, në reagimin e njerëzve, por do t’ju jap një detaj, që fëmijët i kanë njohur prindërit e tyre si politikanë, si njerëz që dalin në ekran, janë të egër në debate, por kur vajza e madhe është takuar me një personalitet, një nga bashkëpunëtorët e Metës, e ka përgëzuar duke thënë kam respekt për babain tënd është i jashtëzakonshëm, ajo është emocionuar, duke e ndjerë veten edhe pak që mund ti ketë rënë në qafë babait të saj, në aspektin e të mos diturit se çfarë ka bërë ai, pasi jemi munduar ti mbajmë fëmijët larg. Kjo situatë i rriti fëmijët para kohe, kjo situatë i ka lënduar. Janë rritur me idenë, me të vërtetën me të drejtën, të jenë të përulur, janë fëmijë që nuk kanë krijuar probleme, kanë qenë një ndihmesë në jetën tonë publike. Unë them më mirë halle të tilla paçim dhe jo halle shëndeti, që nuk i japin zgjidhje asaj që është në të ardhmen.
