
Deputeti demokrat thotë se protesta para Kryeministrisë do të bëhet periodike dhe se opozita është e gatshme të shkojë deri në grevë urie nëse vijon bllokimi i fjalës në parlament.
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se protesta e zhvilluar sot përpara Kryeministrisë është vetëm fillimi i një serie veprimesh të reja opozitare, të cilat sipas tij do të mbushin boshllëkun që qeveria ka krijuar duke kufizuar hapësirën e opozitës në Kuvend.
I ftuar në “Off the Record” në A2 CNN, Këlliçi tha se protesta nuk ka si qëllim numrat, por shndërrimin e foltores publike në një tribunë alternative ku PD do të denoncojë skandalet që, sipas tij, qeveria nuk lejon të adresohen në parlament.
“Kjo nuk lidhet me pjesëmarrjen. Ne po krijojmë një format të ri, sepse hapësira për opozitën në Kuvend është ngushtuar në mënyrë dramatike. Mohimi i mocioneve, bllokimi i komisioneve hetimore, kufizimi i së drejtës së fjalës, të gjitha këto do t’i çojmë para Kryeministrisë”, u shpreh ai.
Këlliçi paralajmëroi se protesta do të ketë vazhdim dhe se rezultatet do të jenë të prekshme, duke rikujtuar protestën pranë Bashkisë së Tiranës që, sipas tij, çoi në arrestimin e kryebashkiakut.
“Duroni edhe pak. Do të shihni se çfarë do të ndodhë para Kryeministrisë”, tha ai, duke theksuar se debati publik nuk duhet të zhvendoset te konfliktet e brendshme të PD, por te përgjegjësia e qeverisë.
Në intervistë, ai konfirmoi edhe mbështetjen për një skenar ekstrem proteste, grevën e urisë, duke deklaruar se është gati të marrë pjesë vetë.
“Jam pro ngujimit dhe grevës së urisë, sepse deputetët nuk kanë më asnjë mënyrë tjetër për të çuar zërin e qytetarëve në Kuvend. Personalisht kam qenë një nga nismëtarët e këtij propozimi”, tha Këlliçi.
Ai theksoi se protesta nuk është pronë e PD dhe se të gjithë qytetarët e pakënaqur janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të reagojnë.
