
Ekspozitë gjigante me 400 vepra dhe veshje, fokus te trupi dhe mënyrat se si ai shfaqet në art dhe modë.
Met Gala do të rikthehet më 4 maj 2026 dhe tashmë është bërë publike tema që do të udhëheqë eventin më të madh të modës në botë. Nën titullin “Arti i Kostumeve”, Instituti i Kostumeve i Muzeut Metropolitan të Artit në New York sjell një koncept të ri që bashkon artin klasik me modën bashkëkohore, duke vendosur në qendër trupin e njeriut dhe mënyrat se si ai është interpretuar për mijëra vite.
Ekspozita, që hapet për publikun më 10 maj dhe do të zgjasë deri më 10 janar 2027, do të shfaqet në Galeritë e reja Condé M. Nast, një hapësirë e përhershme prej 12.000 metrash katrorë. Këtë vit, sponsorët kryesorë janë Saint Laurent, Condé Nast dhe çifti Jeff Bezos, Lauren Sánchez.
Kuratori Andrew Bolton ka përzgjedhur rreth 200 vepra arti dhe po aq veshje, duke krijuar një ekspozitë të ndarë në tre seksione: trupat e pranishëm kudo në histori (si figurat nudo), trupat e neglizhuar në art (shtatzëna, të moshuara, persona me aftësi të kufizuara) dhe trupat universalë (modele anatomike e forma strukturore).
Për të bërë eksperiencën më ndërvepruese, manekinët do të kenë fytyra të ndërtuara me pasqyra nga artisti Samar Hejazi, që vizitorët të shohin reflektimin e tyre dhe të imagjinojnë veten në veshjet ekspozuara, një qasje që synon të krijojë lidhje emocionale me publikun.
Kodi i veshjes për eventin e 2026 nuk është bërë ende i ditur, por duke marrë parasysh tematikën e trupit dhe siluetës, pritet dominim i veshjeve që theksojnë formën njerëzore, struktura skulpturore dhe dizajne të guximshme transparente. Me Saint Laurent si sponsor, stilimet e markës priten të jenë ndër zgjedhjet më të spikatura të tapetit të kuq.
Eventi, si çdo vit, do të zhvillohet të hënën e parë të majit, këtë herë, më 4 maj 2026.
