
Regjisori Joseph Kosinski zbulon se bisedimet për kapitullin e dytë të aventurës së Sonny Hayes kanë nisur
Regjisori i filmit F1, Joseph Kosinski, ka folur për herë të parë mbi gjasat e një vazhdimi të filmit që theu rekorde në kinema dhe e riktheu Brad Pittin në qendër të vëmendjes në vitin 2025. Filmi, i bazuar te piloti i talentuar i Formula 1, Sonny Hayes, arkëtoi mbi 631 milionë dollarë në mbarë botën, duke u bërë një nga prodhimet më të suksesshme të vitit.
Në një intervistë për Deadline, gjatë eventit Contenders Film në Los Angeles, Kosinski u pyet nëse publiku mund ta shohë sërish Pitt-in në rolin e Hayes. Regjisori pranoi se ai personalisht do ta dëshironte rikthimin e aktorit, duke shtuar se ekipi krijues tashmë ka nisur të diskutojë mbi një mundësi vazhdimi.
Ai tha se po shijon fazën ku po imagjinon se ku mund të shkojë historia më tej, ndërsa theksoi se do të donte të tregonte një kapitull të ri për ekipin APXGP dhe pilotin Joshua Pearce.
“Do të doja të shihja çfarë ka ndodhur me APXGP dhe me Joshua Pearce, si evoluon karriera e tij. Kemi filluar të ëndërrojmë për këtë dhe është kënaqësi të jesh në këtë fazë të krijimit,” tha Kosinski.
Filmi F1 i vitit 2025 solli në ekran edhe emra të mëdhenj si Javier Bardem, Kerry Condon, Damson Idris dhe vetë kampionin botëror Lewis Hamilton.
Nëse planet konkretizohen, fansat mund të presin një kapitull të ri plot adrenalinë për Sonny Hayes dhe botën dramatike të Formula 1.
