
Shtëpia e familjes Preknicaj digjet plotësisht gjatë natës; dyshohet shkarkesë elektrike nga moti i keq
Një banesë dykatëshe në fshatin Preknicaj të Shkrelit, në Malësinë e Madhe, është shkatërruar tërësisht nga zjarri gjatë orëve të para të mëngjesit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00, kur shtëpia e familjes Preknicaj u përfshi nga flakët e fuqishme.
Fatmirësisht, nuk ka të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi ndërtesa është shkrumbuar pothuajse tërësisht. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga rrufeja, si pasojë e stuhive dhe kushteve të vështira atmosferike të 24 orëve të fundit.
Ekipet e bashkisë, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura, OSHEE dhe strukturat e tjera janë vënë në gatishmëri për të menaxhuar situatat e mundshme që lidhen me përkeqësimin e motit.
Autoritetet paralajmërojnë se rreziku nga shkarkesat elektrike mbetet i lartë për shkak të stuhive të shpeshta që kanë përfshirë veriun e vendit.
