
Reshjet intensive shkaktojnë emergjenca në disa zona; rrugë të bllokuara, rënie gurësh dhe ndërprerje energjie
Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë agravuar ndjeshëm situatën në Bashkinë Mat, ku në fshatin Rreth Baz një banesë është përfshirë nga uji. Familja me 7 anëtarë që jetonte aty është evakuuar në kohë nga zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilët po punojnë për largimin e ujit dhe sigurinë e zonës.
Ndërkohë, rruga nacionale Burrel–Skuraj është bërë e rrezikshme për qarkullim, pasi reshjet kanë shkaktuar rënie gurësh në disa segmente. Firma kontraktore ka nisur pastrimin për të shmangur rrezikun për drejtuesit e mjeteve.
Në Bashkinë Dibër, situata është po ashtu e rënduar. Shumë njësi administrative janë pa energji elektrike, përfshirë Kalën e Dodës, Sllovën, Zall Dardhën, Reçin, Lurën dhe një pjesë të Arras–Fushë Çidhnës. Për shkak të shkarkesave të forta elektrike, fidri që furnizon këto zona është ndërprerë për siguri, ndërsa ekipet e OSHEE janë në terren duke monitoruar dhe duke pritur kushtet e duhura për rikthimin e energjisë.
Probleme të mëdha janë shfaqur edhe në aksin Lezhë–Shkodër, ku njëri sens i rrugës është bllokuar për shkak të prezencës së ujit dhe ndotjeve të shkaktuara nga reshjet e pandërprera.
Autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet dinamike dhe se reshjet intensive pritet të vazhdojnë, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa zona të veriut. Qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
