

Alice dhe Ellen Kessler, 89 vjeçe, zgjodhën t’i japin fund jetës së tyre në të njëjtën ditë përmes asistencës mjekësore
Bota e spektaklit është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të motrave të famshme gjermane, Alice dhe Ellen Kessler, një dyshe ikonike e muzikës dhe kërcimit që u bë e njohur në Evropë dhe SHBA që në vitet ’50. Të dyja 89 vjeçe, ato kanë zgjedhur të kryejnë vetëvrasje të asistuar në shtëpinë e tyre në Grünwald, pranë Mynihut.
Sipas gazetës gjermane Bild, motrat kishin vendosur prej kohësh që donin t’i mbyllnin jetët së bashku, ashtu siç kishin jetuar gjithmonë, të pandara. Ato nuk dëshironin të vazhdonin më me vështirësitë e moshës dhe kishin marrë vendimin me vetëdije të plotë.
Alice dhe Ellen Kessler u bënë të famshme që të reja, pasi u nisën si balerina në Operën e Leipzig. Në vitin 1952, në moshën 16-vjeçare, ato u larguan nga Gjermania Lindore komuniste duke kaluar në Perëndim, çka u hapi dyert e skenave europiane.
Në Paris performuan në skenën prestigjioze të Le Lido, ku madje tërhoqën vëmendjen e Elvis Presleyt gjatë shërbimit të tij ushtarak në Gjermani.
Në vitet ’60, ato u bënë një sensacion televiziv në SHBA, me paraqitje në emisione të rëndësishme si The Ed Sullivan Show dhe The Red Skelton Hour. Gjatë karrierës së tyre, motrat Kessler performuan me gjigantë të skenës si Frank Sinatra, Fred Astaire dhe Sammy Davis Jr.
Motrat kishin deklaruar më herët për Bild se dëshironin të varroseshin në një urnë të përbashkët, së bashku me hirin e nënës së tyre, Elsa, dhe qenin e tyre Yello. “Kështu e kemi shkruar në testament,” kishte thënë Ellen.
Autoritetet gjermane konfirmuan se dy motrat kanë vdekur së bashku në banesën e tyre dhe se nuk ka asnjë shenjë ndërhyrjeje të paligjshme.
Radio Monte Carlo në një homazh publikoi:
“U larguan bashkë, ashtu si jetuan: të pandashme.”
Ato u përshkruan si “simbol i spektaklit europian, elegancës dhe artit të skenës që nga vitet ’50”.
Nga baleti e tek kabareja, nga muzika e tek televizionet amerikane, motrat Kessler kanë lënë pas një trashëgimi kulturore që ka shënuar disa dekada të historisë së argëtimit europian dhe botëror.
Pas thuajse 70 vitesh karrierë dhe një jetë të jetuar krah për krah, ato zgjodhën të iknin nga kjo botë në të njëjtën mënyrë: së bashku.
