
Avokati Arben Llangozi dorëzon kallëzim të detajuar, kërkon përfshirjen e FBI për hetim ndërkombëtar
Banorët e tre zonave bregdetare:Tragjas, Orikum dhe Dukat, janë paraqitur dje para Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke protestuar kundër asaj që e quajnë “skema kriminale e tjetërsimit të pronave” në bashkëpunim me rrjete ndërkombëtare të pastrimit të parave. Protesta u shoqërua me dorëzimin e një kallëzimi të detajuar nga avokati i tyre, Arben Llangozi.
Sipas kallëzimit, disa zyrtarë të qeverisë dhe individë të lidhur me botën e biznesit dyshohen se kanë marrë pjesë në zhvendosjen e paligjshme të pronave përmes kompanive guackë , investimeve të maskuara dhe transaksioneve që përllogariten si të dyshimta. Dokumenti ngre pretenca serioze për operacione që shkojnë përtej territorit shqiptar.
Një element veçanërisht i rëndë i dosjes është përfshirja e mundshme e shtetasve amerikanë, çka tregon se aktiviteti i dyshuar kriminal ka pasur lidhje me sistemet financiare ndërkombëtare. Sipas avokatit Llangozi, skema dyshohet se ka shfrytëzuar mekanizma të sofistikuar të pastrimit të parave që kërkojnë një hetim më të gjerë se ai kombëtar.
Për këtë arsye, kallëzimi thekson domosdoshmërinë e përfshirjes së agjencive ligjzbatuese amerikane, përfshirë FBI, në mënyrë që të hetohen burimet financiare, komunikimet dhe investimet që lidhen me këto veprimtari.
Banorët kërkojnë rikthimin e pronave dhe thonë se kanë humbur besimin tek institucionet vendore për shkak të pengesave dhe vonesave të vazhdueshme. Ata shpresojnë se një hetim i thelluar, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, do të nxjerrë në dritë përgjegjësit dhe do të ndalë një skemë që sipas tyre ka dëmtuar dhjetëra familje.
Protesta e djeshme ka shtuar presionin publik mbi SPAK, i cili pritet të shqyrtojë kallëzimin dhe të vendosë mbi hapat e mëtejshëm hetimor.
